Sipas televizionit shtetëror iranian, në sulmet me raketa balistike mbi bazat ushtarake të Irakut janë vrarë 80 shtetas amerikanë, raporton AA.
Pretendimi erdhi pasi Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRCG) nisën dhjetëra raketa balistike kundër forcave amerikane ushtarake dhe të koalicionit në Irak.
Zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman, njoftoi se raketat u lëshuan nga Irani dhe shënjestruan të paktën dy baza ushtarake irakiane, ku janë të stacionuar trupat amerikane ushtarake dhe të koalicionit, gjegjësisht në bazat Al-Asad dhe Erbil.
Siç tha Pentagoni, është duke u vlerësuar nëse ndonjë trup amerikan është vrarë apo plagosur në sulme, por nuk dha shenja të menjëhershme të viktimave, shkruan IndeksOnline.
Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Javad Zarif, në llogarinë e tij në twitter shkroi se Teherani ka “konkluduar masa proporcionale” në përgjigje të vrasjes së javës së kaluar nga SHBA-të kreut të forcës elitare iraniane Quds, Qasem Soleimani, duke shtuar se Teherani nuk po kërkon një luftë me SHBA-të.
Sulmet e mëngjesit të sotëm pasuan pas një seri armiqësish midis SHBA-ve dhe forcave të mbështetura nga Irani, që filluan në fund të muajit të kaluar me vrasjen e një kontraktori amerikan në një bazë amerikane në Irak.
SHBA u kundërpërgjigj me sulme ajrore ndaj milicisë së mbështetur nga Irani, për të cilën thotë se është përgjegjëse për kryerjen e sulmit që vrau dhjetëra persona.
Të martën e javës së kaluar, ambasada amerikane në Bagdad u sulmua nga një grup i militantëve dhe demonstruesve të tërbuar.