Inspektorati Policor i Kosovës, ka konfirmuar arrestimin e zyrtarit policor Harris Kelmendi për keqtrajtimin që i ka bërë një 18-vjeçari në stacionin policor në Prishtinë.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me informacionin (vide-incizim i një ngjarje të vitit 2018) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë (shih komunikatën e datës 28.01.2021 si më poshtë)”, thuhet në njoftimin e IPK’së.
Ndaj të dyshuari, IPK’ja ka njoftuar se është vendosur masa e ndalimit për 48 orë.
“Lidhur me këtë rast IPK kishte arrestuar një zyrtar policor më 28 .01 2021 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”kurse i njëjti rast nga prokuroria është vendosur që të vazhdohet në procedurë të rregullt. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot këtë zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “pengim i të provuarit”dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet më tutje në njoftim.
IPK’ja ka marrë vendim edhe për suspendimin e dy zyrtarëve tjerë policor, një rreshter dhe një polic tjetër.
“Në kuadër të këtij hetimi, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin edhe të dy punonjësve policorë (një rreshteri policor që në kohën e incidentit të vitit 2018 ishte mbikëqyrës i të dyshuarit dhe një zyrtar tjetër policor që dyshohet se ishte pjesëmarrës në keqtrajtim). Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet më tutje.
Në ndërkohë avokati i Kelmendit ka thënë për Express, se ndalimi i tij është i padrejtë.
Ky zyrtar policor aktualisht është nën hetime edhe për një rast tjetër keqtrajtimi