Sot u raportua për arrestimin e Arianit Huruglicës, zyrtar i stafit civil në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, i cili u kap me substancë të dyshuar narkotike.
Lidhur me këtë rast, detaje ka dhënë Inspektorati Policor i Kosovës. Në një komunikatë të lëshuar për media, IPK ka njoftuar se Huruglica është arrestuar mbrëmë në Gjilan, bashkë me një qytetar tjetër, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i policisë respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan”, thuhet në kumtesë.
Inspektorati Policor bën të ditur se gjatë kontrollit te të dyshuarit kanë gjetur 0.6 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme e pakove të cigareve, me të cilat dyshohet se është bërë pagesa e substancës narkotike.
Të dyshuarit, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet tutje në komunikatë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.