Intervista është realizuar nga Lekë Mrijaj, gazetar i pavarur
Anesteziologu i njohur shqiptar nga Kosova, z. Pal Krasniqi, me asistimin e tij po kryen shumë intervenime tek te semurët akut dhe kronikë (fëmijët, rriturit, pleqtë) dhe tek të tjerët me probleme të ndryshme, në Klinikën “St. Anna” në Lucern të Zvicrres. Ai, me eksperiencën e tij afro 27 vjeçare si menagjer e anesteziolog, për lexuesit shqiptar në Kosovë, Shqipëri e mergatë na tregon për jetën, shkollimin dhe eksperiencën e tij gjithperfshirëse në Klinikën “St. Anna” në Lucern të Zvicrres. Me z. Krasniqi, kemi bashkëbiseduar për tema të natyrave të ndryshme private jetësore, profesionale, humane, solidare etj. Njëkohësisht me të janë diskutuar shumë tema: Biografija, rrugët e tija të mundimshme, angazhimet e tija menagjeriale, profesionale në Klinikën “St. Anna” etj.
Ndaj edhe pa humbur kohë mund ta percjellni me vëmendje bashkëbisedimin e përbashkët me z. Krasniqi, ashtu siq vijon me poshtë:
• Z. Pal Krasniqi, faleminderit që gjetët kohën për të bashkëbiseduar me ne.
Faleminderit juve!
• Z. Pali, ju lutemi a mund të na flisni pakëz për biografinë tuaj personale?
Unë, rrjedh nga një familje tipike tradicionale shqiptare i fisit te Krasniqes. Kam lindur në fshatin Nepole të Pejës. Shkollën fillore e kam kryer në fshat, pikërisht në shkollën “Migjeni” në Gllogjan të Pejës.Ndërsa shkollën e mesme mjekësore e kam të përfunduar me sukses të (shkëlqyeshëm) në Gjakovë. Pasi e përfundova Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Gjakovë, menjëherë aplikova për regjistrim, si student në Universitetin e Prishtinës pikërisht në Fakultetin e Mjeksisë në Prishtinë. Vërtetë isha një nxënës shembullor si për nga sjelljet ashtu edhe nga sukseset duke filluar nga shkolla fillore e deri në përfundim të shkollës së mesme mjekësore. Aplikova në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, për dy vite me radhë në testin vlerësues apo siç i thonim dikur provimin pranues, dhe isha tejet i sigurtë se do e tejkaloja fuqishëm pragun e pranimit të studentit në Fakultetin e Mjeksisë. Mirëpo, më ndodhi e kundërta edhe pse në atë kohë konkurova për dy vite radhazi në Fakultetin e Mjekësisë dhe kërkoja të drejtën time të rishkimit të testit tim punues, ajo e drejtë më është mohuar dhe për asnjëherë nuk më është dhënë përgjigjja e ankesës. Ia vlenë të potencohet se në atë kohë silleshin gjërat më ndryshe për tu regjistruar si student i mjekësisë do të duhej të posedosh njerëz apo miq me poste të larta politike apo qoftë edhe permes parasë (ryshfetit) gjë që unë nuk i posedoja asnjërën prej tyre. Ndaj duke i vërejtur këto fenomene të ulëta negative në vendin tim dhe pas zhgënjmit tim total për vlerësimin jo të drejtë për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, detyrimisht qoftë edhe pa dashjen time vendosa ta braktisi atdheun tim të dashur për ta provuar fatin tim të jetës në Zvicër.
• Rruga juaj është bukur e gjatë dhe e mundimshme, përse e përzgjodhët mu bash Zvicrën?
Në Zvicër erdha sepse këtu kisha vëllaun Gjonin dhe motrën Zojën. Ardhjen në Zvicër ma mundësoi vëllai im, i cili është kujdesur për leje qendrimin dhe për vendpunimin tim. Që në fillim të punoj në ndërtimtari si punëtor krahu për një stinor të plotë. Këtu fillova të mësoj gjuhën zvicerane dhe vërtetë e them pa e tepruar se nuk kishte ditë që nuk mësoja së paku dy orë, që do të thotë se gjuhën e mësova shumë shpejt dhe pas plot shtatë muajve kërkova pune në Klinikën Private Spitalore“St. Anna” në Lucern. Ishte hera e parë që unë kërkova pune dhe menjëherë është bërë intervistimi im, në ç’rast duke u vlerësuar nga komisioni përkatës i klinikës, më pranuan si asistent medicinal. Si asistent medicinal, punova dy vite të plota dhe gjithnjë interesohesha për studime në Fakultetin e Mjekësisë në Zvicër. Mirëpo ishin disa kritere që do të thotë se, me atë leje qëndrim që posedoja në atë kohe, nuk më jepej e drejta të regjistrohesha për studime në Universitetet e Zvicrës. Kështu që në atë kohë, si shërbyes I zellshëm shëndetësor që isha, i bëra një kërkesë punëdhënësit tim, Klinikës Private Spitalore “St. Anna” në Lucern, që të ma mundësoj në një formë të vijoj studimet. Këtë edhe ma mundësuan, që unë të ndjeki shkollimin e lartë të mjekësisë në degën e anestezisë, gjë që edhe i vijova studimet dhe në një afat rekorde përfundova, ku edhe jam pajisur me titullin: Ekspert i Anesteziologjisë.
• Angazhimi juaj pa përtesë që nga dita e parë në klinikë. Cfarë mendimi kanë lucernasit zvicerian për ju dhe çfarë mendimi keni ju rreth grupit tuaj kolegial në spital ? Sa është i nevojshëm një profesion i tillë siç e ushtroni ju atje?
Për Anesteziologjinë vendosa personalisht, mu atëherë ku mu dha e drejta e pranimit në shkollën e lartë të mjekësisë, menjëherë pas mësimeve teorike dhe pasi kalova disa ditë në punët praktike në sallat e kirurgjisë operative, aty e vërejta se çfarë vlere ka të jesh anesteziolog. Në sallat e kirurgjisë e pashë kur pacientët në reparte kishin probleme shëndetësore dhe duhej t’ju bëhëj reanimimi (rikthimi në jetë), pra janë anesteziologët dhe njerëzit më të guximshëm dhe me të pergaditur që e bëjnë këtë pune. Studimet në Anesteziologji janë shumë të thella. Në këtë lëmi veç tjerash përfshihen edhe anatomia, fiziologjia, patofiziologjia dhe farmakogjija, që do të thotë se janë lëndë me peshë të madhe. Anesteziologjia është profesion që ka të bëj drejtpërdrejtë me pacientin dhe me teknologjinë e përgjithshme medicinale, me raste të ndërlikuara ku jeta e pacientit gjatë operacionit në tërësi menaxhohet me duart e anesteziologut. Unë kushtimisht po e them se jam shumë modest dhe ndihem shumë mirë në këtë klinikë dhe vërtetë kaloj shumë mirë me gjithë stafin kolegial spitalor. Kam një ekip të fortë profesionale të Anesteziologjisë së cilës, unë i paraprijë që nga viti 2003. Kemi konsideratë reciproke me njëri tjetrin. Profesioni i anesteziologut është shumë i kërkuar dhe se për ekspert të tillë vendi ku punoj unë dhe përgjithësisht Zvicra ka nevojë për shumë të tillë ekspert anesteziolog.
• Si ju kanë pritur atje dhe a ka shqiptarë të tjerë si ju, (flasë të lëmisë suaj) që jetojnë e veprojnë në Zvicërr?
Te jem i sinqert ne shqiptarët në Zvicër nuk kishim imazh fortë të mirë, akuzoheshim për punë të ndryshme të liga, mirëpo kushtimisht po e themi se unë falë punës sime dinjitoze e profesionale e fitova shumë shpejt besimin e bashkolegëve dhe te menaxhmentit spitalor. Shpesh më thonin:“Z. Pali, jeni një portret apo njeri krejt ndryshe nga të tjerët”, që do të thotë se per mua kjo nuk ishte një kompliment por thjeshtë një shprehje jo e mirë, sepse nga këndvështrimi im i bie sikurse të gjithë vëllezërit e mi shqiptar të jenë të këqinjë dhe vetëm unë jam i mirë. Pikërisht unë ju përgjigjesha se në raport me shumicën e shqiptarëve unë jam ende poshtë. Tani në këtë epokë, vertetë kanë ndryshuar rrjedhat e jetës, shqiptarët si të huaj në Zvicër, në përgjithësi kanë fituar të drejta të shumta pothuajse krahas shtetasve zvicerane. Janë duke studiuar në lëmitë e ndryshme, kanë tituj të lartë qoftë akademik dhe shkencor dhe kemi nje pamje krejt tjeter në raport nga ai i fundshekullit të kaluar. Pikërisht kemi ekspert kardiolog, ortoped, urolog dhe pothuajse në çdo lëmi tjetër të mjekësisë e specializant të dëshmuar.
• Jeni punësuar edhe si menaxher kryesor dhe vazhdoni të punoni edhe si anesteziolog në spitalin më të njohur në Lucernit. Mund ta na e përshkruani punën tuaj?
Siç e ceka më lartë, se pos anestezisë që bëj në pacientë unë edhe e menagjoj repartin e anestziologjis. Punën mund ta paraftyroni kështu: Pacienti ka nevojë për operim, ai pranohet në klinikë dhe ne jemi pothuajse ata të parët që i vizitojmë që të njihemi për gjendjen e sëmundjeve të përgjithshme të pacientit duke filluar nga zemra, mushkëritë, mëlqia, veshkat dhe kështu me radhë. Nese ka alergji në medikamente ose në gjëra tjera, ne si anesteziolog se bashku me pacientin e caktojmë formën më adekuate të anestezisë dhe sqarojmë cdo gjë me pacientin që operacioni të kalon mirë. Ne edhe për kujdesin postoperativ jemi përgjegjës. Për trajtimin e dhimbjeve dhe komplikimeve të tjera të mundshme
• Cila është pozita e anesteziologjisë në Lucern dhe a mund të themi se ju jeni anasteziologu i parë shqiptar atje apo?
Pozita si Anesteziolog dhe Ekspert çmohet shumë dhe është e kërkuar. Nëse unë jam i pari nga shqiptarët në këtë drejtim nuk mund të them me siguri, por tani njoh edhe shumë të tjerë të cilët kryejnë punën e anestezisë.
• Në vitin 1992 keni bërë anestezimin tek një pacient/e. Mund të na e përshkruani hollësisht këtë intervenim dhe a ka qenë intervenimi i parë i këtij lloji për ju?
Kur fillova studimet në vitin 1992, për herë të parë bëra punë praktike anestezimi dhe vërtetë ishte një ndjenjë emocioni. Të e vendosësh pacientin në gjumë, të kryhej operimi i tij me sukses dhe të zgjosh pacientin nga gjumi (anestezioni) është një përgjegjësi e madhe. Por kur i shoh sukseset e arritura pozitive ndaj pacientit dhe kur pacienti me plotë vetëdije dhe pa dhimbje të pyet se kur do filloni me operacionin dhe mos të mund të besoj se operacioni ka përfunduar me sukses atëherë përfundimisht se ndihem shumë i lumtur.
• A keni pasur oferta edhe nga spitale të tjera në Zvicër dhe çfarë ka qenë përgjigjja juaj si anesteziolog në këtë drejtim?
Po është shumë e vertetë se kam pasur shumë oferta nga spitalet tjera, sidomos edhe me kerkesën e menaxhimit të reparteve të Anesteziologjisë, por nuk kam pranuar. Pse e themi këtë? Sepse me klinikën “St. Anna” në Lucern, jam i lidhur shume edhe emocionalisht. Është kjo klinikë spitalore e cila me ofroi mundësinë që të shkollohesha, të studioj si dhe të u ndihmoj shumë pacientëve jo vetëm nga Lucerni e Zvicra por edhe nga Kosova, Shqipëria dhe pothuaj nga të gjitha vendet shqiptare e më gjerë.
• Ku është dallimi në mes të mjekësisë zvicerane dhe asaj shqiptare e kosovare. A mund të na përshkruani me pak fjalë?
Dallimi kryesor është te eksperienca e gjatë qe kanë ketu, pastaj teknologjia cdo herë më e avansuar apo më e përsosur dhe shumë moderne. Detyra qe marrin me përkushtimin maksimal për pacientin dhe çdo herë tamam të përkushtuar e kualitative.
• Çfarë i nevojitet mjekësisë shqiptare dhe asaj kosovare për ta arritur shkallën kualitative shëndetësore zvicerrane?
Siç e përmenda edhe më parë kushtet ekonomike luajnë një faktor të rëndësishem per zhvillimin e një lëmie të tillë, por edhe nga faktori njeri ka rëndësi të madhe. Duhet krijuar institucione dhe mekanizma që kontrollojnë dhe e vlerësojnë punën e kryer. Të ndëshkohen lëshimet e mundshme si shkak i pakujdesisë, dhe të ngritet niveli i kualitetit me (kushtet) kapacitetet ekzistuese. Pra gjithnjë të ndjekësh parimin apo Betimin e Hipokratit që është një ligj moral i njeriut me profesionin e mjekësisë (ku përfshihet edhe profesioni im i anestezisë). Për ta arritur shkallën kualitative shëndetësore zvicerane në Kosovë e Shqipëri duhej të respektohet në plotësi siç e potencuam sipër Betimin e Hipokratit dhe kriteret tjera.
• Ju si anasteziolog a keni ndërmend të krijoni ndonjë formë bashkëpunimi reciprok me klinikat e anesteziologjisë shtetërore në Kosovë e Shqipëri?
Bashkëpunimi qe ju kam bërë spitaleve te ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri është në formë ndihme. Vlen të përmendet ndihma për spitalin e Lezhës, në ç’rast në atë kohë në krye me Dr. Pashk Gjonin (Ortoped shumë i suksesshëm) drejtor i spitalit në ç’rast ju kam ofruar një ndihmë prej 200 shtretër për pacient dhe me pajisje të ndryshme monitoruese shëndetësore.
• Ju veç anesteziologjisë kryeni edhe detyrën e menaxherit përgjegjës në spitalin ku punoni. Sa është e vështirë detyra e menaxhmentit?
Më lartë e përmenda se unë e menaxhoj repartin e Anesteziologjisë. Pasi që kam mbaruar edhe Master në biznes dhe menaxhim (MBA). Jam i aftësuar ta menaxhoj mirë këtë repart. Ne kemi përgjegjësi të madhe kur menaxhojmë këto reparte komplekse. Janë parametra të ndryshëm të cilët e bëjnë matjen e suksesit të punës. Si shembull kualiteti i punës me pacienta, sa janë të kënaqur pacientat, punonjësit me punën tonë, si dhe duke i përcjellë përgjithësisht parametrat ekonomiko-financiare. Nëse nuk bëjmë çdoherë përmirësime kualitative mbesim mbrapa dhe vërtetë konkurenca e tregut tejet e fortë dhe nëse si menaxher nuk tregon cilësi, kualitet dhe efikasitet atëherë edhe moralisht duhej liruar postin përgjegjës.
• Z. Krasniqi, duke qenë se jeni i diplomuar në lëminë e mjeksisë në degën e anesteziologjisë, çfarë ju ka shtyrë që ju ti hyjni kësaj rruge. A mund të na thuani më konkretisht?
Dituria e përgjithshme që kërkon kjo lëmi është e lartë, mundësia për të kombinuar pasionin për teknologjinë dhe mundësinë për të vepruar shpejt psh. Reanimimi, si dhe suksesi i punës që shihet menjëherë psh zgjimi i pacientit nga anestezioni janë ato që më joshen t’i futem kësaj dege
• A keni menduar ndonjëherë për ta lëshuar Zvicrën ( zëvendësuar me Gjermani, Austri, Itali … ) apo dëshiron të mbetësh akoma atje?
Pasi qe Zvicra është shembull i mirë për të gjithë rajonin për kualitetin në shëndetësi , si dhe kushtet e mira qe ka për personelin nuk kam menduar dhe nuk mendoj që ta lëshoj këtë vend. Ne kemi shumë gjerman, austriak dhe italian qe ikin nga vendi i tyre dhe vijnë në Zvicër pikërisht për kushtet e mira qe ofron ky vend.
• Si anesteziolog shqiptar që vini nga Kosova, sa jeni të motivuar me integrimin tuaj në Zvicër dhe trajtimin nga ana e bashkolegëve tuaj zviceran në klinikë pikërisht aty ku ju keni punuar deri me tash?
Integrimi ështe fjalë që dëgjohet shumë këtu. Të jesh i integruar do të thotë të përshtatem në vendin ku jetoj, por pa i humb vlerat dhe traditat që kemi. Sepse nese i humbim ato do të thotë asimilim. Ne së bashku me vellaun Gjonin, dhe disa kolegë dhe miq të tjerë shqiptar, pikërisht me z. Jakob dhe z. Benhard Deskun, z. Llesh Duhanin, znj. Mire dhe z. Mikel Krasniqin dhe shumë të tjerë kemi themeluar në kuadër të Partisë CVP (Chritliche Volkspartei) lidhjen “Kristianët Demokrat Kosovar” që ka për qëllim integrimin e shqiptarëve në Zvicër. Pra të jetosh në një vend është shumë me rëndësi integrimi dhe deri në një masë identifikimi me atë vend. T’ju them sinqerisht unë në profesion identifikohem plotësisht me klinikën.
• Z. Pali, gjatë punës suaj a keni ndjekur ndonjë trajnim në lidhje me mjekësinë apo anesteziologjinë dhe a jeni certifikuar nga dikasteri në fjalë. Çfarë trajnimesh keni ndjekur dhe a mund të na thoni më shumë lidhur me këtë?
Trajnime profesionale bëjmë rregullisht me kolegët në klinikë, si reanimator është shumë e rëndësishme që të jemi të përgatitur dhe të trajnuar sepse në raste urgjente nuk kemi kohë të mendojmë gjatë por të veprojmë menjëherë që të shpëtojmë jetën e pacientit. Pos trajnimeve praktike janë edhe kongreset për anestezi që mbahen në Zvicër dhe në Gjermani me përmasa shumë të mëdha. Këtu është rregull se nëse nuk merr pjesë në trajnime që janë të obliguara dhe në Kongres, atëherë humb poena krediti që do të thotë se humbe vlera në profesion. Një sasi e konsiderueshme e buxhetit ndahet për trajnim profesional. Sepse vetëm kështu garantohet suksesi në profesion dhe për klinikë.
• Jeni një familjar e bashkëshort i mrekullueshëm dhe baba i tre fëmijëve- Patrikut, Manuelit dhe vajzës Rinës. Më se merren fëmijët tuaj dhe a mund të na flisni pakëz për ta në pika të shkurtëra, për shkollimin dhe vlerat e tyre profesionale?
Faleminderit për komplimente, z. Mrijaj, unë gjithherë bëj përpjekje të jem edhe afër familjes dhe t’ju plotësoj kërkesat e tyre maksimale. Së pari më duhet të them se kam një bashkëshorte të mrekullueshme me të cilën s’bashku kemi tre fëmijë. Ajo krahas punës që bën në klinikë ne kujdesin postoperativ, kujdeset jo vetëm për fëmijët por edhe për nënën time 89 vjeqare e cila jeton me ne, gjë që mbështetja e saj për asnjëherë nuk më ka munguar pra edhe më ka motivuar duke më dhënë mbeshtetje në të gjitha sferat. Fëmijëve jemi munduar që tu përcjellim vlerat e mira tipike ato tradicionale Shqiptare. Gjuhën Shqipe që në shtëpi ne flasim vetëm shqip. Vlerat kombëtare, traditat e bukura që kemi si dhe kompetencën sociale, dua te them mirësjelljen me njerëzit dhe rrethin kudo që janë. Djali i madh- Patriku, ka mbaruar studimet per Ekonomi dhe Financa në Universitetin e St. Galles. Kryen detyrën e tij profesionale në Bankën Amerikane Goldman Sachs në Zyrich. Vajza ime Rina, është studente e Pedagogjisë në Universitetin e Luzernit si Arsimtare e ciklit të mesëm, ndërsa Manueli, është në vitin e fundit të Gjimnazit. Manueli ka pak sa vështirë se çfarë të zgjedh për studime. Ky është shumë kreativ dhe merret me sport, muzikë, art etj.
• Dhe për fund cili është mesazhi i juaj, për mjekët dhe studentët specializant të anesteziologjisë. çfarë mesazhi mund të na jepni?
Mesazhi im për të gjithë pavarësisht profesionit është që të jemi shembullor në punë, të bëjmë maksimumin, të mos pushojmë së mësuari, permirësuari dhe të tregojmë kualitete e cilësi në punë e jetë, atë që bëjmë të bëjmë me dijeni dhe ndërgjegjen më të mirë e pastaj nuk do të mungoj suksesi. Mendoj që duhet te jemi shembull i mirë për gjeneratat e reja, të ju paraprijmë me shembuj dhe vepra të mira, të ndihmojmë të rinjtë në shkollim dhe në zhvillimin personal dhe të mos harrojmë se investimi më i mirë që mund të bëhët është investimi në shkollim.
• Faleminderit z. Krasniqi, vertetë e kemi realizuar një bisedë shumë të këndshme. E themi se ka kohë qe kisha në endje të e realizoja një bashkëbisedim të tillë të përbashkët, më kish marrë malli t’ju dëgjoja pergjigjet tuaja në lëmin tuaj jetësor e profesional. Faleminderit qe keni gjetur kohën. Shumë konsideratë!
Faleminderit edhe juve, z. Mrijaj. Edhe unë ju pergëzoj për vlerat tuaja, multidimensionale, kulturore, publicistike e gazetareske . Suksese dhe mbarësi!!!