Vaksinat e Covid-19 kanë arritur në Kosovë, por jo nga institucionet e Kosovës. Me urdhër të Qeverisë së Serbisë në Komunat Veriore janë vaksinuar qindra qytetarë të komunitetit serb.
Indeksonline ka intervistuar ministrin serb të Shëndetësisë, Zlatibor Loncar i cili ka zbuluar prapaskenat e arritjes së vaksinës të Pfizer në Veri. Loncar ka thënë për Indeksonline se presidenti serb i ka propozuar që gjatë kontigjentit të dytë të janarit të sjellë vaksinën e Pfizer (produkt amerikano-gjerman), edhe për komunitetet e tjera në Kosovë.
“Udhëheqësit e Repbublikës se Serbisë janë përkushtuar për kujdes ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.
Veçanërisht në kohë pandemie e cila tashmë një vit po e terrorizon mbarë botën, ndërsa ka marrë jetën e afro 2 milionë vetave.
Duke pasur parasysh këtë fakt jemi të parët në rajon dhe të dytët në kontinent si pjesë e Evropës, që e kemi siguruar vaksinën Pfizer kundër Covidit-19. Ndaj kështu kemi nisur imunizimin e pjesës së popullatës më të rrezikuar dhe kjo në harmoni me vlerësimet profesionale të OBSH-së. Prandaj konsiderojmë se është interes yni i të gjithëve, të mundësojmë që numri sa më i madh i banorëve të mbrohet nga pandemia. Dhe, kështu të shpëtojmë çdo jetë njeriu, i cili mund të rrezikohet me fatalitet nga prekja me koronavirusin.
Kryetari Vuçiq na ka propozuar që nga kontingjenti i ardhshëm i vaksinës kundër Covidit-19 që pritet të na mbërrijë në fillim të janarit, të sigurojmë sasi edhe për kombësitë e tjera në Kosovë.
Para dy ditësh, në Kosovë, janë vaksinuar qindra qytetarë të cilëve u është ofruar preventiva kundër infektimit vdekjeprurës. Me këtë gjë janë mbrojtur edhe nga pasojat potenciale nga pandemia.
Besojmë se qëllimi i secilës Qeveri përgjegjëse në botë është që çdo personi t’i ofrohet ndihma maksimalisht, në mënyrë që të shpëtohet të paktën një jetë njeriu. E të mos themi qindra mijëra vetave” ka thënë Loncar.