Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
IPK kishte pranuar informacione për këtë rast më 03 Qershor 2020 përmes Linjës së Kaltër (080003333) nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Lipjan ka kryer veprën penale dhunë në familje e paraparë me nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e të dyshuarit, si dhe në vazhdën e veprimeve hetimore është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit edhe zyrtari policor.
Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.