Inspektorati Shëndetësor ka intensifikuar inspektimet në Klinikat e QKUK-së, spitalet e përgjithshme dhe shërbimet parësore për të parë se sa po e respektojnë orarin e punës profesionistët shëndetësorë, me theks të atyre që punojnë edhe në sektorin privat. Nga këto inspektime disa mjekë të Klinikës së Urologjisë, Kirurgjisë Abdominale dhe ORL-së nuk u gjenden në vendin e punës gjatë orarit.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës të Kryeinspektorit Shëndetësor, Shaban Osmanaj i cili tregoi se deri më tani janë inspektuar 36 klinika për prezencën e profesionistëve shëndetësorë në punë.
Ai madje thotë se ky aksion i inspektimeve po vazhdon tutje, ndërsa për të gjithë ata që nuk u gjetën në vendin e punës do të ndërmarrin masa konform ligjit.
“Deri me tani janë inspektuar 36 klinika për prezencën e profesionistëve shëndetësorë në punë. Nga inspektimet ka rezultuar se në kohen e inspektimit disa profesionistë shëndetësorë nuk kanë qenë në vendin e punës. Në shumicën e klinikave profesionistët shëndetësorë kanë qenë në vendin e punës duke përjashtuar tre klinika, Kirurgjia Abdominale, Klinika e Urologjisë dhe jemi në verifikim të rastit për klinikën e ORL. Për të gjitha këto të gjetura do te merren veprimet e duhura konform legjislacionit në fuqi. Inspektimet do të vazhdojnë edhe në institucionet e tjera shëndetësore pa marrë parasysh natyrën e tyre të financimit publike dhe private”, tha Osmanaj përmes një shkrese.