Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja me COVID-19 është duke u rënduar dhe se ka numër të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim.
Ai para mediave ka thënë 36 pacientë janë në gjendje kritike, nga 780 sa janë gjithsej duke u trajtuar nëpër spitalet rajonale dhe QKUK.
“Situata me COVID-19 është duke u rënduar nga dita në ditë. Ne po shohim përditë numër më të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Sot kemi 780 pacientë të shtrirë në 7 spitale të përgjithshme dhe në klinikat COVID të QKUK-së. 36 në gjendje kritike, mbi 500 pacient janë me oksigjen të vazhdueshëm”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi po ashtu ka thënë se Qeverisë do i dërgojnë një shkresë në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve.
Ai po ashtu njoftoi se është marrë vendim që të kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të zgjerohen kapacitetet e SHSKUK-së për hospitalizimin e pacientëve me coronavirus.
“Ne si SHSKUK i kemi bërë tash e një kohë të gjatë të ditura kapacitetet tona spitalore. Dje është vendosur që do të dergojmë një shkresë qeverisë në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve”, ka theksuar ai për Indeksonline.
Ndërsa sa i përket vaksinës kundër COVID, Krasniqi ka thënë se duhet ta dimë që çdo vaksinë apo ilaç ka efektet anësore.
“Çdo vaksinë që del në përdorim dhe aprovohet, ajo duhet të jetë e sigurt për përdorim. Duhet ta dimë që çdo vaksinë apo ilaç ka efektet anësore. Nëse këto efekte anësore paraqiten te një numër i vogël i pacientëve nuk është arsye për të mos u përdorë”, ka shtuar ai.