Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po trajtohen shtatë pacientë të infektuar me koronavirus. Infektologu, Valbon Krasniqi për Gazetën Sinjali ka thënë se pesë prej tyre janë në gjendje të mirë, ndërsa dy të tjera janë duke u trajtuar me oksigjentoterapi kohë pas kohë.
“I kemi 7 persona me Covid-19, që janë të konfirmuar pozitiv, gjendja e të pesë prej tyre është e mirë, stabile. Një që ka ardh dje për herë të parë është me oksigjeno terapi hera pas herë, ndërsa pacientin që e kemi që 9 ditësh është me oksigjenoterapi, është në hemodializë është në gjendje më të rënduar dhe jemi duke përcjell në përkujdes të vazhdueshme”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Sinjali.
Infektologu po ashtu ka theksuar se në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar edhe 5 persona të cilët kanë rezultuar negativ me koronavirus, por të njëjti po trajtohen për shkak të sëmundjeve të tjera.
“Kemi edhe disa pacient, të paktën edhe pesë tjerë që janë Covid negativ po që për arsye të tjera shëndetësore vazhdojmë t’i mbamë në klinikë”.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus, ku 622 janë shëruar, ndërkaq, 28 pacientë kanë vdekur.