Shqetësimet për efekte anësore kanë bërë që disa shtete të pezullojnë vaksinën kundër COVID-19 AstraZeneca, por që kjo kompani është shprehur se nga 17 milionë persona që janë vaksinuar deri më tash, nuk është vërejtur ndonjë shqetësim,
Kosova e cila është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka vaksinuar qytetarët e saj, është në pritje të vaksinës AstraZeneca përmes projektit COVAX.
Infektologu kosovar, Ilir Tolaj, është shprehur se rastet e trashjes së gjakut janë të kufizuara dhe se vaksina e AstraZeneca duhet të merret.
“Të dhënat kur analizohen në tërësi tregojnë se këto efekte anësore, në veçanti kjo e fundit, e ngjizjes së gjakut, është një efekt anësor jashtëzakonisht i rrallë. Në 17 milionë vaksinat e dhëna të prodhimit AstraZeneca në Bashkimin Europian vetëm 40 raste janë evidentuar deri tash që kanë pasur një çrregullim të tillë.
Përgjigjja e shkurtër, po ne duhet t’i pranojmë, fatkeqësisht se nuk i kemi më herët, fatkeqësisht që tashmë nuk kemi filluar vaksinimin”, tha Tolaj në RTV Dukagjini.
Përkundër që OBSH i ka quajtur shqetësime të pabaza, Gjermania dhe Holanda janë shtetet e fundit që për të njëjtat shqetësime e kanë pezulluar këtë vaksinë, teksa u bashkohen shteteve si Danimarka, Republika e Irlandës, Norvegjia, Bullgaria dhe Islanda që kanë marrë këtë veprim.
Efikasiteti i vaksinës AstraZeneca Oxford në parandalimin e infeksioneve simptomatike ishte 74.80 për qind./