Shtatorja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, është inaguaruar të premten. E vendosur në oborrin e Katedrales në Prishtinë, në inaugurimin e saj foli vetëm skulptori i veprës, Fatmir Hoxha.
KOHA ka raportuar gjatë së enjtes se Ipeshkëvia ka hequr dorë nga vendosja e shtatores së Anton Çettës, derisa atë të Rugovës, e kanë vendosur pa leje nga Komuna e Prishtinës.
“Ipeshkëvia e Kosovës ka dashur që t’i nderojë dy figura të mëdha të kombit, dr. Ibrahim Rugovën dhe prof. Anton Çettën. Për këtë asnjëherë nuk është sjellë një vendim i prerë. Por për të respektuar mospëlqimin e vajzave të prof. Anton Çettës dhe pasi kemi hasur në padenjësinë sakramentale të tij, atëherë kemi sjellë vendim që të mos vendoset shtatorja e Anton Çettës”, ka deklaruar gjatë së enjten sekretari i Ipeshkëvisë së Kosovës ,Don Fatmir Koliqi.
Në inaugurim, skulptori Hoxha ka thënë se ky realizim është vetëm “gjysma”, duke shtuar se shpreson që të vendoset edhe shtatorja tjetër.