Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), pas reshjeve të shumta e numrit të madh të rrufeve ka dalë me disa instruksione se si duhet vepruar gjatë situatave të tilla.
Gjatë stuhive të mëdha, instituti rekomandon që nëse ndodheni brenda, të merrni masat e mëposhtme:
-Siguroni të gjitha pajisjet që mund të fluturojnë larg për shkak të erës së fortë ose shiut të fortë dhe të cilat mund të shkaktojnë dëme materiale ose dëmtim të njerëzve
-Siguroni dritaret dhe dyert e jashtme duke i mbyllur të gjitha ato
-Shmangni kontaktin me rubinetet e kuzhinës dhe banjës, radiatorët dhe objektet e tjera metalike, pasi ato janë përçues të mirë.
Nëse jeni jashtë, ndiqni këto udhëzime:
-Qëndroni larg çdo strukture të lartë (shtyllat, kullat etj.) dhe mbani në mend se distanca e sigurt është e barabartë me lartësinë e strukturës
-Shmangni strukturat e larta, pemët e larta, gardhet, kabllot telefonike dhe linjat e energjisë
-Përpiquni të gjeni strehë në një ndërtesë ose në një makinë, dhe nëse kjo nuk është e mundur atëherë uluni në tokë
-Shmangni qëndrimin pranë ndërtesave ose makinave në të cilat nuk mund të futeni për strehim
-Nëse jeni në pyll, mbroni veten nën degët e pemëve të ulëta – kurrë mos qëndroni nën një pemë të larta në vend të hapur
-Shmangni kufirin midis pyllit dhe hapësirës së hapur, preferoni të futeni në pyll
-Shmangni fushat e hapura, majat dhe shpatijet malore, brigjet, kanalet apo vende tjera të lagështa
-Mos e kaloni ujin, mos notoni
-Mos mbani në duart tuaja një ombrellë ose sende tjera përçuese metalike (shkop golfi, shufra peshkimi, etj.)
-Shmangni të qenit afër objekteve metalike, biçikleta, pajisje kampingu, etj
-Mos qëndroni në këmbë, mblidhuni ose të paktën të përkuleni, pa prekur tokën me duart tuaja, dhe nëse jeni në një grup mbani një distancë prej 5 metrash mes jush.
Nëse gjendeni në makinë gjatë një stuhie të fortë:
-Ndaloni makinën pranë rrugës larg linjave të energjisë dhe pemëve që mund të bien mbi makinë
-Qëndroni në makinë dhe ndizni dritat e pozicionit derisa të kalojë stuhia
-Mbyllni dritaret dhe mos prekni objektet metalike në makinë
-Shmangni rrugët e përmbytura
Distancën nga stuhia mund të vlerësoni përmes hapave të mëposhtëm:
-Llogarisni kohën në mes të vetëtimës dhe bubullimës në sekonda
-Kohën e llogaritur ndajeni në tre, për të llogaritur distancën e stuhisë në kilometra
“Kjo distancë është indikative sepse stuhitë mund të shfaqen shumë shpejt në zonën tuaj. Merrni çfarëdo veprimi që është i nevojshëm para se stuhia të godasë zonën tuaj. Mbani në mend të gjitha rregullat e lartpërmendura të cilat mund ta rrisin sigurinë dhe ta ulin rrezikun e dëmtimit dhe humbjeve të mundshme. Shkarkimet atmosferike janë të rrezikshme, të paparashikueshme dhe siguria asnjëherë nuk garantohet absolutisht”, thuhet mes tjerash.