IAAP “Fehmi Agani” përmes një postimi në rrjetin social FB, ka reaguar, ndaj LVV-së në Klinë.
Ky institucion shkollor, në krye me drejtorin Sami Bardheci, thotë se LVV në Klinë, ka thënë të dhënat e prezantuara nga kjo degë për Testin e Arritshmërisë, janë të pasakta.
Ky është reagimi i plotë:
Në konferencën për media të qendrës së LVV-së në Klinë mbajtur ditën e hënë me datë 10.07.2023 janë deklaruar statistika të pabaza që ndërlidhjen me institucionin tonë arsimor përkatësisht vëmendja ka qenë tek profili: Bashkëpunëtor profesional i infermierisë.
Ne, si shkollë me sinqeritetin, përgjegjësinë dhe vullnetin më të madh e demantojmë çdo të dhënë të paraqitur në atë konferencë dhe çështjeve të ngritura aty, ju përgjigjemi si vijon:
– Fillimisht dëshirojmë t’ju sqarojmë që Testi i Arritshmërisë organizohet si vlerësim i jashtëm i MASHTI-t në përfundim të nivelit II (klasat 6-9), ndërsa në përfundim të shkollimit të mesëm të lartë (klasat 10-12) organizohet Testi i Maturës Shtetërore. Këtë sqarim e kemi të domosdoshëm, pasi siç shihet mungojnë njohuritë bazike për fushën e arsimit e sidomos për vlerësimet e jashtme që i organizon MASHTI.
– Për vitin shkollor 2022/23, 174 nxënës të rregullt (që e kanë përfunduar me sukses klasën e 12) i janë nënshtruar Testit të Maturës Shtetërore dhe prej tyre 68 e kanë kaluar me sukses apo shprehur në përqindje 39.08%.
– Sa i përketë profilit Bashkëpuntor Profesional i Infermierisë në këtë vit i janë nënshtruar Testit të Maturës Shtetërore 64 nxënës dhe prej tyre 45 ishin të sukseshëm, shprehur në përqindje 70.31% shumë më lartë se sa është prezantuar në atë konferencë të të pavërtetave (aty keni deklaruar vetëm 28%). Lista e rezultateve të Testit të Maturës Shtetërore që është publike dëshmonë komplet të kundërtën e asaj që keni deklaruar.
– Për ligjerimin e lëndëve profesionale të Infermierisë janë të angazhuar 4 mësimdhënës, që të gjithë doktor të mjekësisë e jo 2 siç keni deklaruar ju.
– Lënda profesionale e klasës së 12 “Biokimi klinike dhe diagnostikë laboratorike” është ligjeruar nga Dr. Agim Bardheci në formën 1+1 ashtu siç është paraparë me Kurrikulën Bërthamë të profilit.
– Gjithashtu duhet t’iu sqarohet që formati i Testit të Maturës Shtetërore është i atillë që nxënësit nuk vlerësohen në lëndët profesionale, por nga 3 lëndët obligative (Gjuhë shqipe, Gjuhë angleze, Matematikë) dhe 1 lëndë zgjedhore që e përzgjedhë vetë nxënësi andaj kurrsesi nuk mund të ndërlidhet rezultati i Testit të Maturës Shtetërore me mësimdhënësit e lëndëve profesionale siç provuat që të bëni ndërlidhjen.
– Mungesën e njohurive elementare nga fusha e arsimit që e shpërfaqët në atë konferencë është për të ardhur keq.
– Krahasimi i rezultateve me vitet e mëhershme është dukshëm më i lartë, sidomos në kohën kur këtë shkollë e ka udhëhequr njëri nga të paraqiturit në këtë konferencë, mirëpo për ne nuk është lavdëruese krahasimi me atë periudhë dhe synimet tona janë shumë më të larta.
– Pasi koncentrimi i juaj ishte me fokus të veçantë për profilin e Bashkëpuntorit Profesional të Infermierisë, pyetja jonë është se kujt po i pengon ky profil arsimor që është në trend në komunën tonë dhe jo vetëm?!