Pas sulmit fizik ndaj drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Pejës, nga disa persona të dyshuar, ka reaguar Komuna e Pejës.
Përmes një njoftimi për media kryetari i kësaj Komune, Gazmend Muhaxheri, e ka dënuar sulmin që i është bërë Leotrim Murtezajt, drejtor i Inspeksionit.
“Kryetari i komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri dhe Këshilli i Drejtorëve e dënojnë këtë akt qyqar dhe kërkojnë nga organet e rendit që t’i kapin autorët dhe të dorëzojnë para drejtësisë. Ne të gjithë jemi në mbështetje të drejtorit të Inspeksionit dhe të zyrtarëve tjerë”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë i Komunës së Pejës:
Komunikatë
Dënojmë sulmin fizik ndaj drejtorit z. Leotrim Murtezaj dhe zyrtarëve tjerë
Persona ende në arratisje, në mënyrë qyqare e kanë sulmuar fizikisht drejtorin e Inspeksionit në komunën e Pejës dhe zyrtarët e kësaj drejtorie duke tentuar që t’i pengojnë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe t’i frikësojnë që të kujdesen për rend dhe rregull ashtu siç e kërkon ligji.
Kryetari i komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri dhe Këshilli i Drejtorëve e dënojnë këtë akt qyqar dhe kërkojnë nga organet e rendit që t’i kapin autorët dhe të dorëzojnë para drejtësisë. Ne të gjithë jemi në mbështetje të drejtorit të Inspeksionit dhe të zyrtarëve tjerë.
Të gjithë duhet ta kuptojnë mirë se ne nuk i frikësohemi askujt dhe nuk ndalemi në rrugën tonë demokratike për realizimin e objektivave tona zhvillimore. Populli na ka dhënë besimin dhe ne i mbesim besnik premtimeve tona.
Sulmin e ka dënuar edhe Dega e PDK-së në Pejë.
“Dega e PDK-së në Pejë dënon sulmin fizik ndaj drejtorit të Inspeksionit, Leotrim Murtezaj. Të nderuar qytetarë të Komunës së Pejës, ashtu siç keni pasur rastin të informoheni gjatë ditës, mbrëmë nga persona të papërgjegjshëm të cilëve bazuar në ligj, u është prishur interesi është sulmuar Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës Leotrim Murtezajt”, thuhet në reagimin e PDK-së, Dega në Pejë.
“PDK e dënon ashpër sulmin ndaj z. Murtezajt. PDK inkurajon z. Murtezaj dhe drejtorët tjerë të Komunës së Pejës, që të vazhdojnë punën, duke respektuar ligjet, kurse fton organet përgjegjëse që të merren me personat e papërgjegjshëm, në këtë rast me sulmuesit”, përfundon reagimi i PDK-së.
KALLXO.com më herët raportoi lidhur me sulmin që i është bërë Leotrim Murtezajt, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Pejës.