Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, e madje edhe nga oborret e shtëpive. Të dyshuarit në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë,
Kështu ka ndodhur edhe sot në rrugën ‘Edit Durham’ në Gjakovë, ku një person nuk ka gjetur furgonin e tij të cilin e parkoi para punëtorisë.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se pas disa orësh është arritur që të identifikohet i dyshuari dhe i njëjti është arrestuar.
Elezaj njofton se i dyshuari është i moshës së mitur, teksa automjeti i vjedhur është gjetur.
“Sot rreth orës 16:00 ankuesi mashkull, kosovar ka raportuar në polici se person-a të dyshuar të panjohur, kishin vjedhur automjetin e tij kombi të cilin e kishte pasur të parkuar para punëtorisë së tij në rrugën “Edit Durhan” në Gjakovë. Pas një pune operative dhe hetimore nga ana e Stacionit Policor në Gjakovë, rreth orës 19::30 është arritur të gjendet automjeti i vjedhur dhe është arrestuar një person mashkull i mitur mbi dyshimin se kishte kryer vjedhjen. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Vjedhje” dhe rasti kalon në procedurë të rregullt”, tha ai.