I mituri që u plagos nga polici del nga operacioni, transferohet në Mjekim Intensiv – kjo është gjendja e tij

Një rast i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Dubravë të Istogut, ku zyrtari policor Fatjon Hoti, dyshohet se e plagosi aksidentalisht tezakun e tij. Viktima u qëllua në kokë me armën zyrtare, duke pësuar plagë të rënda. Sinjali raportoi ekskluzivisht për të gjitha detajet, ndërsa IPK e konfirmoi rastin dhe suspendimin e të dyshuarit.

I mituri Getoar Kamberaj i është nënshtruar operacionit para disa orësh në Klinikën Emergjente dhe tashmë është transferuar në një klinikë tjetër.

Drejtori Naser Syla ka deklaruar për Sinjalin se gjendja e pacientit është akoma e rëndë dhe tashmë po trajtohet në Mjekim Intensiv.

“Gjendja e njëjtë, shumë e rëndë, ndërhyrja është kry. E kemi transferu për tretman të mëtutjeshëm në Mjekimin Intensiv të Klinikës së Pediatrisë.”

Ndryshe, rasti që dyshohet se ndodhi nga pakujdesia ka tronditur dy familjet.

Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin ku ka ndodhur incidenti, në konsultim me Prokurorin e Shtetit.

Nga Inspektorati Policor kanë bërë me dije se polici i dyshuar u arrestua dhe u suspendua nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

“Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.” – njoftoi IPK.