Në Pagarushë të Malishevës është varrosur të dielën në mesditë, këngëtarja e njohur Nexhmije Pagarusha, e cila ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare të premten.
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të dielën u bën homazhe dhe më pas një akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e saj.
Në këtë ceremoni, morën pjesë politikanë e artistë nga vendi dhe rajoni.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të Nexhmije Pagarushës, ka thënë se muzika dhe arti kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij tha se” kudo që jetojnë shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, janë zemërthyer dhe të pikëlluar. Kujtimi për Bilbilin e Kosovës kurrë nuk do të zbehet dhe këngët e saj do të jetojnë përgjithmonë me ne”.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se “e gjithë Kosova dhe të gjithë ata që e vlerësuan artin e kulturën dhe ikonën e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, sot janë në dhimbje të madhe”.
Pas kësaj ceremonie, kortezhi ka parakaluar nëpër sheshet kryesore të Prishtinës, në të cilin morrën pjesë shumë qytetarë.
Pagarusha kishte nisur karrierën e saj muzikore më 1948 në Radio Prishtinë.
Pagarusha, e cila ishte nderuar nga Presidenca e Kosovës me çmimin “Artiste e Merituar”, njihej ndryshe edhe si “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e Këngës Shqipe” dhe “Madam Butterfly”.
Ndërkaq, Presidenca Shqiptare e kishte nderuar atë me titullin “Nderi i Kombit”.
Kënga “Baresha” konsiderohet si një nga kryeveprat e interpretimeve të Pagarushës, e cila është realizuar në vitin 1966 nga kompozitori Rexho Mulliqi, me tekst të Rifat Kukajt.
Ajo kishte përmbyllur karrierën e saj si këngëtare aktive më 1984 në një koncert në Sarajevë. Por, në vitin 2000, pas 16 vjetësh mungesë në skenë, ajo u rikthye duke kënduar për mediat shqiptare këngën “Për ty”.
Përveç muzikës, Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.