Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Një rast i tillë i vjedhjes ka ndodhur edhe sot në fshatin Jashanicë të Klinës,
Gazeta mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 48-vjeçar, i cili ka deklaruar se gjatë mbrëmjes së ditës së djeshme e ka parkuar furgonin te punëtoria e tij që ndodhet afër shtëpisë së tij, por që të njëjtin nuk e ka gjetur aty sot në mëngjes.
Këtë herë hajni e ka pasur më të lehtë për ta vjedhur, pasi siç mëson Sinjali, pronari i kishte lënë çelësat brenda furgonit, bashkë me të gjithë dokumentet.
Pas denoncimit të rastit, kanë nisur hetimet, me ç’rast janë siguruar prova, siç janë pamjet nga kamerat e sigurisë përmes të cilave është zbuluar se furgoni është vjedhur nga katër persona.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vjedhje e veturës” teksa Policia po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore që çojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve