Halil Mehmetaj bashkë me dy djemtë e tij, Kreshnik dhe Malsor Mehmetaj janë arrestuar dje si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e tre personave, më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit.
Të arrestuarit u dërguan në mbajtje dhe ndaj tyre pritet të bëhet kërkesa për paraburgim. Por ata nuk dyshohet se janë dorasit e vrasjes së trefishtë. Halili me dy djemtë e tij dyshohet se e ndihmuan të dyshuarin e katërt në kryerjen e veprës penale, i cili gjendet ende në arrati.
Motivi i vrasjes së trefishtë
Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se provat e grumbulluara deri më tani mbështesin dyshimin e bazuar se të arrestuarit mund të jenë përfshirë në vrasjen e shoferit të autobusit dhe dy nxënësve.
Sipas provave, motivi i vrasjes së trefishtë dyshohet të jetë hakmarrja për vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, Heroina Mehmetajt, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020, duke u varur me litar.
Malsori bashkë me vëllain Kreshnikun, e babain Halilin dyshohet se u hakmorrën ndaj shoferit të autobusit Gani Gjokaj, për vetëvrasjen e më të dashurës së tyre, Heroinës.
Sinjali mbrëmë po ashtu raportoi se lidhur me vrasjen e trefishtë, hetuesit e Krimeve të Rënda në stacionin policor në Deçan kanë intervistuar edhe një nip të familjes Mehmetaj, i cili është liruar në mungesë të provave.
Shoferi i autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënësit Gentiana Mustafaj dhe Ledion Hamzaj u vranë pas sulmit që iu bë një autobusit i cili udhëtonte nga Gjakova drejt Gllogjanit, ku po bartte nxënës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.