Që nga viti 2019 dy persona të cilët kanë qenë në vuajtje të dënimit në institucionet korrektuese vazhdojnë të jenë në arrati, pas ikjes nga QKUK-ja, ka konfirmuar, Florent Gashi, zyrtar për Informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Sipas tij, këta persona derisa ishin në vuajtje të dënimit, për shkak të probleme shëndetësore ishin dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, nga ku edhe janë arratisur.
Gashi thotë se ende janë duke pritur nga Policia e Kosovës për kapjen e tyre.
“Gjatë vitit 2019 deri më tani nga institucionet korrektuese konkretisht nga SHSKUK-ja janë arratisur dy persona. Këta në ShSKUK janë ardhur me marr tretmanin mjekësor edhe aty kanë përfituar nga rasti edhe janë arratisur. Nga ajo ditë Shërbimi Korrektues ka lëshuar fletë-rreshtimin dhe jemi duke pritur nga Policia”, tha ai.
Mirëpo, përveç këtyre dy rasteve, Gashi thotë se kanë pasur raste kur të dënuarit derisa ishin në vikend te familjet e tyre, kanë provuar të arratisen.
“Ndërsa katër persona të tjerë e kanë keqpërdorur vikendin, ndërsa dy prej tyre janë larguar prej institucioneve pavijonit gjysmë të hapur”.
“Ndaj këtyre personave janë marrë masat konform rregulloreve brendshme mbi të cilat funksionojnë qendrat korrektuese. Ndaj këtyre personave të cilët kanë keqpërdorur shfrytëzimin e vikendit mund të merren masa për mos dhënie të vikendit”, tha Gashi.
Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami tha se ndonëse kohëve të fundit është rritur siguria në burgje, shqetësuese mbetët se si të burgosurit arrijnë të arratisen nga institucionet shëndetësore.
“Siguria në burgje është rritur kohët e fundit pavarësisht se edhe rastet e fundit të ikjes qoftë nga burgjet korrektuese të tjera është për shqetësim. Vitet e kaluara ka qenë shqetësim se si mund të burgosurit të arratisen aq lehtë, nga burgjet dhe një formë tjetër të cilët e patën aplikuar të ikin nga burgjet ishte duke shkuar në spitale dhe nga ata përmes formave të ndryshme arrinin të iknin dhe të largoheshin nga burgjet”.
“Këtë dukuri të gjithë e kanë vërejtur përveç atyre qe janë përgjegjës qe edhe pse pacientët ishin dërguar pra të dyshuarit apo të burgosurit në spital dhe e dinin se mundësia për me ik ishte evidente dhe kësisoj lejonin të iknin”, u shpreh Islami.
Islami thotë se deri më tani për këto raste askush nuk ka dhënë përgjegjësi, raporton EO.
“Nuk kemi pasur raste kur dikush është arrestuar dhe burgosur pikërisht pse të burgosurit kanë ikur nga spitalet dhe dikush do duhej të ishte përgjegjës dhe unë besoj se me ardhjen e kësaj qeverie dikush do merret dhe trajtojë këtë raste se si është e mundur që duke pasur roje i dyshuari apo i burgosuri të ikë”.
“Gjatë këtij mandati të kësaj qeverie të presim ndryshime rrënjësore, sidomos në sistemin e drejtësisë kur dimë se sistemi i drejtësisë ka rënë në pikën zero. Mendoj qe gjatë këtij mandati do të rritet siguria në burgje qoftë në burgjet e larta qoftë në qendrat korrektuese”, u shpreh ai.
Ditë më parë Shërbimi Korrektues i Kosovës, kishte njoftuar për ikjen e një të dënuari nga pavioni gjysmë i hapur nga qendra korrektuese në Dubravë.
Mirëpo, personi me inicialet M.K pas letër rreshtimit të lëshuar nga SHKK, është arrestuar nga Policia e Kosovës.
M.K në Qendrën Korrektuese në Dubravë, po mbante dënimin për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar