Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit B.A., për shkak se dyshohet që ka kryer veprën penale “grabitje”, “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”,
Sipas njoftimit, i pandehuri më 26 korrik të vitit 2018 në një lokal në Pejë kishte hyrë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishte shtënë në drejtim të dyshemesë dhe iu ishte drejtuar punëtorëve të lokalit me fjalët “qiti lekët”.
Si pasojë e kësaj, punëtorët e lokalit janë detyruar që t’ia japin paratë të pandehurit, i cili më pas largohet për të hyrë në një market tjetër.
“I maskuar e i armatosur hyn në një market në Pejë duke iu drejtuar punëtorëve të marketit me fjalët ‘mos livrit, qitni lekët’, të cilët ja japin të hollat, e në ndërkohë vëren një konsumator nga i cili kërkon para dhe kur i njëjti deklaron se nuk ka para, i pandehuri shkrep njëherë me revole në drejtim të dyshemesë e më pas largohet nga marketi, por që ndiqet nga policia të cilët ishin lajmëruar nga qytetarët dhe rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes së bashku edhe me gjësende tjera, është gjetur edhe arma e përdorur nga i pandehuri”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.