Hungaria ka vendosur masa të reja kufizuese, përfshirë ndalimin e hyrjes për të huajt nga disa shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, të cilat i ka futur në listën e kuqe me rrezikshmëri të lartë nga përhapja e virusit.
Duke filluar nga dita e mërkurë, hungarezët që kthehen nga vendet e listës së verdhë dhe listës së kuqe do të jenë të detyruar të bëjnë kontrolle dhe të qëndrojnë në karantinë për dy javë, edhe nëse nuk janë të infektuar. I vetmi përjashtim do të bëhet për ata që dalin dy herë negativë në testin për koronavirus gjatë pesë ditëve të kaluara.
Të huajt që vijnë nga shtetet e vendosura në listën e kuqe, ku bëjnë pjesë edhe Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, nuk do të kenë të drejtë fare të hyjnë në territorin e Hungarisë, ndërsa të huajt që vijnë nga vendet e listës së verdhe do të përballen me të njëjtat kushte si hungarezët, shkruan “The Guardian”.
Ndërkohë Serbia, Bullgaria, Rumania, Portugalia, Rusia, Suedia dhe Britania e Madhe janë vendosur në listën e verdhë, ndërsa udhëtimi nga Kroacia, që është destinacion i popullarizuar për pushime për hungarezët, tash për tash do të mund të zhvillohet pa kufizime. Lista do të përditësohet rregullisht.
Sidoqoftë, nga këto kufizime do të jenë të përjashtuar personat që udhëtojnë transit, ata që transportojnë mallra dhe ata që udhëtojnë për qëllime biznesi. Megjithatë, autoritetet mund të kryejnë kontrolle shëndetësore edhe te këta persona.
Hungaria deri më tani i ka regjistruar 4,234 persona të infektuar me Covid-19 dhe 595 viktima.