Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike, Enver Hoxhaj, në hapje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, ka dhënë premtime,
Ai ka treguar se në cilët sektorë do të ketë rritje pagash, nëse vjen në pushtet.
“Rimëkëmbje për studentin domethënë studime falas në universitet. Rimëkëmbje për të rinjtë e papunë domethënë 15 milionë euro për të nxitur ndërmarrjet e reja. Rimëkëmbje për mjekun domethënë mundësi për të ushtruar profesionin e tij këtu, pranë familjes, në qytetin e tij. Me dinjitet. Me pagë dinjitoze – 1500 euro për mjekun specialist dhe 650 euro për infermierët. Rimëkëmbje për fermerët domethënë shlyerje deri në 50% e kredive”, tha Hoxhaj.
Ka premtuar rritje pagash edhe për mësuesit dhe profesorët.
“Rimëkëmbje për mësuesit domethënë rritje e pagave në 600 euro. Rimëkëmbje për profesorët e shkollave të mesme domethënë rritje e pagave në 700 euro. Rimëkëmbje për profesorët universitarë dhe akademikët domethënë rritje e pagave në 1800 euro. Projekti i Rimëkëmbjes, po ashtu, nënkupton pensione dinjitoze për kategoritë e dala nga lufta, për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Pensionet do të rriten nga 170 në 300 euro. Si dhe rritje prej 40 % të pensioneve për pensionistët”, tha Hoxhaj.