Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka uruar 9 Prillin – Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kushtetuta reflekton vlerat më të larta të shoqërisë sonë të bazuara në rend dhe ligj.
“Sot, Republika e Kosovës shënon 13 vjetorin e miratimit të Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të vendit tonë. Kjo Kushtetutë reflekton vlerat më të larta të shoqërisë sonë, si vlera bashkëkohore të bazuara në rend dhe ligj. Derisa më parë patriotizëm ishte lufta për të ardhur deri të themelimi i saj, sot, patriotizëm e atdhedashuri është respektimi dhe ruajtja e kësaj Kushtetute”, shkroi Hoxhaj.
I pari i PDK-së e ka thumbuar Qeverinë Kurti duke thënë se vazhdimisht e ka mohuar dhe luftuar misionin e saj duke shtuar se njerëzit që qeverisin me vendin kanë ardhur në pushtet me rrugë anti-kushtetuese.
“Fatkeqësisht, Kosova sot ka një shumicë parlamentare dhe një Qeveri e cila jo vetëm që nuk e ka njohur, por vazhdimisht e ka mohuar dhe luftuar misionin dhe funksionin e saj. Madje, ky grup njerëzish që aktualisht qeverisin me vendin kanë ardhur në pushtet duke ndjekur rrugë dhe metoda antikushtetutese dhe paraqesin një rrezik permanent për rendin tonë kushtetues. Partia Demokratike e Kosovës, siç ka ditur që të jetë pjesë e procesit të themelimit e më pas edhe ruajtjes së saj, do të dijë edhe sot që gjithmonë të jetë e gatshme për ta mbajtur të paprekshme atë. Urime, Kosovë!”, shkroi Hoxhaj