Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar sërish se ka një urgjencë të madhe në Bashkimin Evropian që të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një intervistë për Atlantic Council, Hovenier theksoi se draft-statuti i BE-së përmbush pritjet e ShBA-së se nuk është krahinë autonome brenda Kosovës dhe se është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Kjo nuk është krahinë autonome brenda Kosovës. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve që i kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Jemi duke punuar me Qeverinë e Kosovës që gjërat të ecin para”, ka thënë Hovenier.
Ndryshe, dje Hovenier në një deklaratë para mediave ka thënë se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
Hovenier ka thënë para mediave se, megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë