Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në rastin e njohur si “53-milionëshi”, në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se kur është nënshkruar kontrata nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm të paraparë për 3 vitet e ardhshme.
Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Hoti, duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues se a ka qenë buxheti i mjaftueshëm për të përballuar këtë projekt, tha se kur është nënshkruar kontrata në korrik të 2014-tës në buxhet nuk kishte pasur mjete të mjaftueshme për kontratën e nënshkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Atëherë me sa di ka qenë rreth 200 milionë euro i parapamë në buxhetin 3 vjeçar për 3 vite ashtu siç parasheh buxheti ndërkaq kontrata është rreth 600 milionë. Pra, kur është nënshkru kontrata s’ka pas buxhet të mjaftueshëm të parapamë për 3 vitet e ardhshme”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, ka qenë një shqetësim i ministrit të linjës vazhdimisht, që të akomodohet kjo kontratë brenda buxheteve vjetore dhe në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Tutje, Hoti tha se ata vazhdimisht kanë ndarë buxhet me rastin e rishikimit të buxhetit mes vitit kur bëhen bilancet e projekteve që nuk janë realizuar, rialokohen mjetet nga një projekt në projektin tjetër dhe në çdo rishikim buxhetor tha se kenë ndarë mjete shtesë.
“Por duhet thënë se kur është nënshkru kjo kontratë nuk ka pas buxhet të mjaftueshëm për këtë”, tha ai.
Hoti gjatë dhënies së dëshmisë së tij i pyetur lidhur me projektin e autostradës “Arbër Xhaferi” ka thënë se kjo kishte qenë e nënshkruar para se ai të jetë ministër i Financave.
Ai ka pohuar të ketë qenë anëtar i Komisionit Drejtues Ndërministror, i cili tha se sipas njohurive të tij ishte themeluar në momentin kur ishte nënshkruar kontrata, pra në qeverinë e kaluar.
Hoti tha se kishte marrë pjesë në disa mbledhje ndërkaq për rolin e komitetit lidhur me këtë projekt tha se ministrat që e kanë udhëhequr të njëjtin munden ta sqarojnë më mirë.
Ndërkaq, lidhur me përmbajtjen e takimeve dhe diskutimet që janë bërë, ai tha se në dy-tri takime ishte diskutuar për progresin e projektit e që për më tepër munden t’iu referohen edhe procesverbaleve të komitetit.
“Janë në procesverbale të komitetit dhe me sa e di ato takime janë edhe të incizuara nëse nuk gaboj kështu që të gjitha janë aty, krejt çka kam thanë janë aty”, tha Hoti.
Sipas tij, mbikëqyrës i projektit të autostradës “Arbër Xhaferi” ka qenë kompania mbikëqyrëse e kontraktuar “Hill International”, e cila e ka menaxhuar këtë kontratë.
Ai tha se kjo kontratë ishte nënshkruar në korrik të 2014-tës para se ta merrte detyrën si ministër ndërsa kur e kishte dorëzuar detyrën e njëjta kishte qenë ende në vazhdimësi.
Ndërkaq, i pyetur për aneks-kontratën e lidhur gjatë vitit 2016, ai tha se “e di që është nënshkru një aneks kontratë por ministri i linjës i di detajet”.
Po ashtu, edhe lidhur me atë se a ka mundur të lidhet ndonjë marrëveshje gjatë mandatit të tij për zgjatjen e afatit pa u përfillur mendimi i kompanisë “Hill”, tha se është ministri i linjës i cili mund të jap një përgjigje.
Tutje, Hoti ka sqaruar se Ministri i Financave është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të Republikës së Kosovës ashtu siç miratohet në Kuvend dhe se nuk ka qenë roli i Ministrit të Financave në këtë komitet për çështje financiare.
Ai shtoi se detyra e Ministrit të Financave është që të mbledh kërkesat buxhetore të ministrive përkatëse dhe këto kërkesa t’i përmbledh në draftin e buxhetit i cili shkon në Qeveri dhe miratohet në Kuvend.
“Pra, nuk është Ministri i Financave që kujdeset për ndarjen e buxheteve individuale për projekte”, tha Hoti.
Ai tha se për aq sa ka njohuri, të gjitha obligimet financiare sa ka qenë ai Ministër i Financave lidhur me këtë kontratë janë kryer.
“Nuk ka naj faturë që lidhet me këtë projekt që ka mbet e pa paguar nga buxheti i shtetit”, shtoi Hoti.
Hoti po ashtu ka sqaruar se në kohën kur ai kishte qenë ministër, kanë qenë në programin më Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe se kjo është e rëndësishme sipas tij pasi që kur një shtet është në program me FMN mbikëqyrja e financave publike është e detajuar dhe çdo vendim, çdo veprim që është marrë është marrë në dakordim me ata.
Ndërkaq, i pyetur nga prokurori special Valdet Gashi se cila ka qenë shuma e vlerësuar nga komiteti për pagesën e punimeve shtesë nga ana e kompanisë “Betchel Enka”, ai tha se komiteti nuk ka vlerësuar shuma dhe se shuma është vlerësuar nga menaxheri i kontratës.
Ai tha se shuma e vlerësuar nga kompania ka qenë rreth 14 milionë euro dhe se ministri i linjës si anëtar i komitetit iu prezanton anëtarëve të tjerë vlerësimet e kësaj kompanie.
Hoti shtoi se autoriteti kontraktues ka për obligim t’i zbatojë rekomandimet e kompanisë mbikëqyrëse pra menaxherit të kontratës.
Ndërkaq, për pyetjet e prokurorit Gashi lidhur me kërkesën e komitetit për zgjatjen e afatit, arsyen e mosmiratimit nga ana e Qeverisë të kësaj shume, a ka pasur ndonjë akt ku është bazuar për funksionimin e tij komiteti dhe për nxjerrjen e statutit, Hoti tha se për këto mund të jap përgjigje ministri i linjës.
Ai tha se gjatë kohës sa ai ka qenë në mandat si Ministër i Financave dhe anëtar i këtij komiteti për bindjen e tij kanë vepruar në përputhje me Ligjin e Prokurimit dhe në përputhje me rekomandimet e kompanisë mbikëqyrëse.
Ndërsa i pyetur se cilat ishin arsyet se pse nuk përfundoi projekt R6 autostrada Prishtinë-Hani i Elezit brenda mandatit të qeverisjes së kaluar, Hoti tha se edhe për këtë duhet të përgjigjet ministri i linjës pasi që ai ka qenë Ministër i Financave.
Hoti përsëri ka sqaruar se këtë kontratë e kishte lënë brenda afatit të saj, pra nuk kishte përfunduar projekti.
Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namanai ka pyetur prokurorin special Gashi lidhur me obligimin e tij që të sigurojë përfaqësuesin e “Betchel Enkes” dhe “Hill International”, nëse është bërë ndonjë përpjekje për sigurimin e dëgjimit të tyre si dëshmitar të propozuar në aktakuzë.
Lidhur me këtë, prokurori Gashi tha se prokuroria ka bërë dhe është duke bërë përpjekje ende për sigurimin e dëshmitarëve duke shtuar se për seancën e radhës beson se do të kenë mundësi të dëgjohen të njëjtit qoftë fizikisht qoftë përmes video-linkut.
Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë ndërsa të radhës u caktuan më 22 nëntor dhe 1,4,5 dhjetor 2023.