Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka deklaruar se ngjarjet e ndodhura muajt e fundit në veri kanë ndikuar në çështjen e të pagjeturve.
“Po supozoj se për shkak të gjendjes që ndodhi në veriun e Kosovës, BE-ja e ndërroi fokusin e çoi diku tjetër, pavarësisht se në aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet me urgjencë”, ka thënë ai për “RTK”.
Hoti ka shtuar se është e drejtë humane që të kërkohen të zhdukurit dhe këtë e di Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare.
Sipas tij, Serbia nuk bashkëpunon për të gjetur personat e zhdukur në luftë, por shpresat janë te bashkësia ndërkombëtare si garanci e deklaratës së nënshkruar më parë.
“Hapi i parë ka qenë formimi i komisionit të përbashkët që e udhëheq BE-ja, pastaj ajo e monitoron zbatimin e deklaratës, të shihet se ne ose Serbia a po bashkëpunon, si arkiva dhe format e tjera”, është shprehur Hoti.
Hoti ka vlerësuar se Serbia duhet të kushtëzohet për të zbatuar deklaratën e të pagjeturve.
“Po hyjmë në shtator dhe ende nuk është formuar komisioni. Në letrën që i kam dërguar Vuçiqit, ende nuk kam marrë përgjigje. Unë po supozoj se Serbia dëshiron të zvarritë procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve”, ka theksuar ai.