Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e ka vizituar Komunën e Klinës.
Pas takimit që zhvilluan me kryetarin e kësaj komune Zenun Elezaj, Hoti ka lavdëruar këtë komunë për menaxhim të pandemisë.
Hoti tha se projekti i rrugës transit si dhe projekti për ujë të pijes tashmë janë në rrugë të mbarë për tu realizuar. Veç këtyre, Hoti ka folur edhe për çështjen e personave të pagjetur.
“U dakorduam për projektin që përfshinë rrugën transit që lidhet me autostradën Kievë-Zahaq, që tejkalon qytetin e Klinës për të evituat tollovinë, e dyta furnizimi me ujë që ka kohë që nuk është zgjidhur për komunën e Klinës dhe tani besoj se është në rrugë të mbarë me ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit do jetë pjesë e buxhetit 2021 dhe besoj do përmbyllet njëherë e përgjithmonë kjo çështje. Komuna e Klinës dhe disa komuna të tjera e kanë dhe është shumë e ndjeshme çështja e personave të pagjetur jemi duke punuar shumë me Komisionin Qeveritar”.
Për projektet kulturore dhe sportive që dedikohen për Klinën foli ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cila tha se kjo komunë më herët nuk ka qenë e përfshirë në buxhetin e kësaj ministrie.
E sipas saj projektet që kërkojnë investime kulturore dhe sportive për klinasit do të përfshihen në buxhetin e vitit 2021.
“Fusha për tenis, fushë basketboll tek parku i qytetit e gjithashtu është edhe shtëpia e Kulturës ku do i ndihmojmë që të realizohet një kinema e qytetit janë disa nga projektet që do të bëjmë. Kurse, në pjesën e trashëgimisë kulturore në Dresnik është një park shumë unik ku paraqitet një park mozaik me mijëra vjeçar dhe do vazhdojmë punimet edhe në pjesën e arkeologjisë. Kërkesa janë edhe për dy kulla të cilët i takojnë pjesës së trashëgimisë edhe me ato do procedojmë dhe do i kryejmë bashkë”.
Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj tha se kjo komunë ka arritur ta menaxhoj mirë pandeminë Covid-19. Ai tha se ka marr mbështetje për projekte jetike për qytetarët e kësaj komune.
“Klina ka nevojë për mbështetjen e kryeministrit sidomos për çështjen e furnizimit me ujë të pijes së qytetarëve dhe transiti i qytetit e cila është një rrugë e cila e bashkon edhe komunën e Istogut por edhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve. Për të dy projektet hasëm mirëkuptim dhe besoj që do kemi mbështetjen e qeverisë”.
Para vizitës në Klinë, kryeministri Avdullah Hoti ka marrë pjesë në inaugurimin e Palestrës Sportive në Deçan.