Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një 19-vjeçare po dyshohet se e ka vrarë babain e saj dhe dyshohet se e ka varrosur në oborrin e shtëpisë.
Policia e ka arrestuar 19-vjeçaren e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj, Pëllumb Meta, teksa janë zbuluar detaje të reja nga ky rast i tmerrshëm.
“Falë veprimeve të shpejta profesionale, Policia gjen trupin e pajetë të 50-vjeçarit, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës, nga vajza e tij. Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.
Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.
Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’”, njofton Policia, raporton A2CNN