Sapo të futesh në Prekaz, vëreni se ky fsha ka një histori të lashtë kombëtare. Në hyrje të Prekazit është kulla apo oda siç njihet më shumë në Drenicë e Ilaz Kodrës e pak metra më tej, është ajo e familjes së Adem Jasharit. Rreth 700 metra prej saj është kulla e Tahir Mehës. Kjo kullë është një monument i trashëgimisë kulturore në Prekazin e Epërm të Skenderajt. Ky monument është i miratuar në kategorinë arkitekturore.
“Kulla e vjetër kishte filluar në vitin 1913 dhe përfunduar në vitin 1916. Është ndërtuar nga meshkujt e lagjes Meha, nga shokët e Emin Latit, Nebih Mehës, Tahir Mehës edhe Beqir Mehës.
Në këtë kullë kanë marrë pjesë Azem Bejta me shokë, Hasan Prishtina dhe njerëz atdhetarë të asaj kohe, sepse gjyshi i Tahirit, Emin Lati ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës. Po ashtu ka marrë pjesë edhe legjendari, komandanti i Drenicës Shaban Polluzha, me qenë se Nebih Meha ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës.
I ka qendru kohës, është kullë e vjetër, është e lashtë, i ka qendru kohës deri me 13 maj 1981 kur mixha Tahir me gjyshin Nebiun luftuan kundër njësiteve speciale të Republikës Federative të Jugosllavisë. Po atë ditë kanë rënë dëshmorë mixha dhe gjyshi dhe është rrënuar kulla nga tanksi serb”, tregon në një bisedë për ATV-në, Ilir Meha, familjar i Heroit Kombëtar, Tahir Mehës. /atvlive.tv