HISTORI ME GURË

Kalasë
gurët e ballit
m’ia kanë marrë.

Kris tmerrshëm
trari i kulmarit.

Mbi të lashtat e gatshme
shi i zi përmbi.

HESHTNI

Heshtni!
Pushoni tamtamet
ta dëgjoj fijen e barit
në gur si rritet.

O heshtni!
Fikni fotoaparatet
ta dëgjoj zukamën e fluturës
në flakën e dritës si digjet.

Heshtni o…
dhimbjes t’ia dëgjoj psalmet.

NUK TË MARRIN AS IKJET

Tash ardhjet nuk të sjellin
as ikjet nuk të marrin,
atje ku mbive po rritesh,
pllajave të blerta të mallit.

PËRJASHTIMET NË VAJAZAN

Vajazanit ia përjashtojnë
zogjtë e bukur zëëmbël
nga koncertet e jetës.

Baltë e verdhë e moçalit të Vajazanit
hije bën majë plehut
mbi bimët e zanafillës,
mbi mjeshtrit e parë të urës.

Në Vajazanin tonë trimosh.