HIPOKRIZIA E ISH “PINGPONG QEVERISJES” SË KLINËS

Shkruan Mirsad Dakaj

Umberto Eco, ky filozof, novelist, kritik letrar e profesor thoshte se “Problemi me internetin është se ai të jep gjithçka. Material të besueshëm dhe material të çmendur. Këtu problem bëhet si ta bësh dallimin?”

Në këtë çështje, si edhe në shumë tjera, filozofi Eco është shumë i saktë.

Veçanërisht tash kur rrjetet sociale i japin mundësi çdo të padituri, por edhe atyre që kanë dy fije mend të bëjnë punë të mira e të hairit, të shprehin qëndrimet e mendimet personale.

Këto rrjete sociale, që në një shtet të pashtet sikur tonin s`i kontrollon askush se çka shkruhet, ua krijojnë mundësinë akëcilit, politikanë e person publik, të shkruajë për fjalë që thuhen nëpër kafene e qosheve të rrugëve.

Të atillët janë mësuar të bëjnë politikë e janë ngritur politikisht rrugëve e nëpër kafene, duke u marrë me fjalë e punë të papuna. Përvojën nuk e kanë marrë në bankat e universiteteve e as në zyra të institucioneve.

Këta politikanë, sikurse zyrtarët e PDK-së në Klinë, duke u munduar të krijojnë opinion të rrejshëm te qytetarët për qeverisjen lokale, falë rrjeteve sociale dhe prontoshtetit joligjor, të cilin vet e kanë krijuar e ujitur gjatë viteve në pushtet, po shpërndajnë DEZinformata të çmendura.

Por qytetarët kanë veshë e sy. Shohin, dëgjojnë e analizojnë. Nuk janë servilë e as nuk e kanë humbur lirinë e të paturit një opinion të pavarur. Opinionet e tyre nuk krijohen në zyrat e partisë që shpërndanë deklarata të pasinqerta e hipokrite.

Është josinqertet, hipokrizi e madhe, por edhe mashtrim e ofendim i inteligjencës së qytetarëve të Klinës, kur PDK dega në Klinë akuzon dikë për punësime partiake e keqmenaxhim. Kjo sepse vet ajo e ka instalu e zhvillu këtë formë të keqqeverisjes, ku për interesa të partisë e klienteles janë diskriminuar shumë të rinj profesionist e premtues.

Është ofendim i madh për rininë e pashpresë sepse në “pingopong qeverisjen” e PDK-së, në një konkurs pune ku patën konkurruar mbi 30 të diplomuar në bachelor e master, e para kishte dalë një zonjë e randë por edhe e moçme dhe vetëm me shkollë të mesme.

Rastësisht kjo zonjë e randë ishte e lidhur ngjitas me politiken e me politikanin kryesor në Klinë. Dikur politikan kryesor, jo tash e asnjëherë më.

Është mashtrim, sepse në një zyre të gjendjes civile, nga “pingopong qeverisja” ishte punësuar një person, rreth të gjashtëdhjetave, i cili edhe pas shumë viteve përvojë nuk di të punojë me shkathtësi.

Është jo e sinqertë, sepse politikanë që janë ngritur në karrierë në bazë të diplomave të rrejshme, nuk kanë autoritet e as njohuri të kërkojnë qeverisje të mirë e lere më të udhëheqin mirë.

Qytetarët dinë ta bëjnë dallimin e informatave të besueshme e DEZinformatave të çmendura të partive politike e gjithashtu edhe të komunikatave që shkruhen në zyre ta partive e që publikohen në emër të të tjerëve.