Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, thotë se nevojitet normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbrëmë në një intervistë në N1, atij iu kërkua t’i krahasojë negociatat në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe tash në kohën e Aleksandar Vuçiqit.
“Por mund të krahasohet situata kur negocionit me Millosheviqin – ishit në ekipin e Holbrooke – dhe tani merrni pjesë në njëfarë mënyre. Cili është ndryshimi midis kohës së Millosheviqit dhe Vuçiqit?”, u pyet Hill.
“Para së gjithash, ne nuk kemi pasur negociata me Millosheviqin, sepse ai ka refuzuar ta diskutojë çështjen dhe kjo ka qenë një problem i madh, prandaj nuk është bërë përpjekje për zgjidhjen e situatës”, tha fillimisht ambasadori amerikan, i cili ishte i dërguar special për Kosovën dhe i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat në Rambuje më 1999.
Sot, diplomati me shumë përvojë tha se “ka një përpjekje për ta gjetur një lloj kompromisi, por ne ende nuk kemi arritur deri aty”.
“Natyrisht, kjo është një çështje problematike, sepse SHBA-të kanë një qëndrim tjetër nga Serbia, sepse e kanë njohur Kosovën. Por ne po përpiqemi ta gjejmë një zgjidhje dhe thelbi i kësaj është normalizimi dhe shpresoj se do të mund ta arrijmë”, tha Hill.