Prokuroria Speciale e Kosovës ka intervistuar një numër të madh dëshmitarësh në lidhje me zbardhjen e përgjegjësve që i shkaktuan 53 milion euro dëm buxhetit të Kosovës pas dështimit për të përmbushur obligimet ndaj kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila ndërtoi Autostradën “Arbën Xhaferi”.
Zyrtarë të kësaj prokurorie, kanë bërë të ditur për Arbresh.info se deri tash një numër i madh dëshmitarësh janë intervistuar lidhur me këtë rast. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë dhënë detaje rreth personave të intervistuar.
“Hetimet janë në zhvillim e sipër, deri më tani janë dëgjuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve, si dhe jemi duke punuar në mënyrë intensive në këtë rast”, ka thënë për arbresh.info, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.
Ai, po ashtu kanë thënë se është herët që të zbulohen detajet tjera lidhur më këtë rast.
“Është herët që të zbulohen detajet tjera lidhur më këtë rast”, ka thënë Lutfiu.
Por, lidhur me këtë ministri i Infrastrukturës, në detyrë Pal Lekaj, edhe njëherë ia kishte vënë fajin ish-ministrit, Lutfi Zharku, për 53 milionë euro që duhet t’i paguhen kompanisë “Bechtel & Enka” nga buxheti i shtetit.
Lekaj, pati thënë se lidhur me vendimi ne qeverisë për aneks-kontratën me “Bechtel & Enka” për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, bëri të ditur se shuma e pajtuar e zgjatjes së afatit do të jetë 45 milionë euro pa llogaritur edhe TVSH.
“Kostoja e zgjatjes së afatit është zvogëluar nga 63 milionë euro në 45 milionë euro+TVSH pasi që ‘Bechtel&Enka’, është e gatshme të paguajë për 9.9 milionë euro për shpenzimet e shkaktuara nga reduktimi i vëllimit të punëve gjatë viteve 2014-2017. Data e përfundimit të kontratës në kuptimin buxhetor, është zgjatur nga 31 dhjetor 2018 deri më 1 qershor 2019 me shpenzime zero për ministrinë e infrastrukturës”, kishte thënë ai.
Ndryshe, kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë Hani i Elezit është nënshkruar më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.
Pra, shifra e shpenzimit për këtë autostradë kishte arritur shifrën e 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent (608,348,430.81 euro).
Përmes këtij memorandumi, Ministri Pal Lekaj njofton Qeverinë për kërkesat e kompanisë Bechtel Enka, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plotë 53 milion euro.
Më 5 qershor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për “Bechtel Enkan” për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit.
Kontraktori, në këtë rast kompania “Bechtel&Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.
Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve. Tek ky shpenzim përmenden dy shifra. Fillimisht është një kërkesë për 30.8 milionë euro, mirëpo në kalkulimet përfundimtare është 36.3 milionë euro. Pra, në fakturen që do të paguaj qeveria është 5.5 milionë euro më shumë.
Kjo autostradë që lidh Prishtinën me Shkupin, është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti./arbresh.info/