Gjykata e Prishtinës ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mytaher Haskuka, Enver Hoti, Shqipe Pantina dhe Teuta Haxhiu.
Aktakuza ka të bëjë me gazin lotsjellës që ishte hedhur në shkurt të vitit 2016, kur deputetët e opozitës kishin pamundësuar mbajtjen e seancës në Kuvend.
Lajmin e ka konfirmuar avokati Haxhi Millaku.
Ai ka thënë se ankesa për një pikë të akuzës është konfirmuar ndërkaq për pikën tjetër ka mbetur.
“Për një pikë të aktakuzës është aprovuar ankesa ndërsa për një pikë tjëtër të akuzës ankesa ka mbetur”- tha Millaku.
Avokati tutje ka shtuar se gjatë gjykimit do të shohin se si do të rrjedhë procedura.
“Ne do të shkojmë në gjykim për atë pikë. Presim që gjatë gjykimit të shohim se si do të jetë qëndrimi i Prokurorisë për këtë çështje” – deklaroi avokati.
konfirmuar akuzën vetëm për veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Ndërkaq, për shkak të parashkrimit absolut është hedhur poshtë dhe është pushuar procedura për veprën penale – pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
I përfshirë në këtë rast është edhe ish-deputeti Rexhep Selimi, mirëpo në seancën fillestare të mbajtur më 11 shkurt 2022, Gjykata ka veçuar procedurën.
Kujtojmë se Selimi është në paraburgim dhe është duke u gjykuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Enver Hoti, Shqipe Pantina, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Rexhep Selimi akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa autorizim kanë përdorur armë me qëllim të ndërprerjes se punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës.
Prokuroria thotë se gjatë seancës, në vendet ku ishin të ulur, kanë aktivizuar gazin lotsjellës dhe nga tymi i përhapur është pamundësuar mbajtja e rregullt e seancës, me ç‘rast është ndërprerë puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë, Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi, secili veç e veç, po akuzohen se kanë kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, në kohë, vend dhe mënyrë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi po akuzohen se kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare – deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në atë mënyrë që posa ka filluar seanca e Kuvendit, pas aktivizimit të gazit lotsjellës është ndërprerë seanca plenare.
Me këto veprime, Prokuroria i ka ngarkuar ata për veprën penale – pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare