Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Dehari dhe çdo veprim e mosveprim të kësaj ministrie.
Në lidhje me këtë, ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se zjarret në IML janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndërsa zhdukja e mostrave po hetohet nga Prokuroria Speciale.
Haxhiu tha se në kohën kur ka ndodhur vrasja e ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, ministre ka qenë Dhurata hoxha, teksa shtoi se në momentin kur e ka pranuar detyrën si ministre, ka kërkuar inspektim të të gjitha veprimeve që i ka marrë Shërbimi Korrektues në raport me këtë rast.
“Ka rezultuar se zyrtarë të Inspektoratit dhe Shërbimit Korrektues, i kanë marrë kamerat në mënyrë të paligjshme. Sipas informacioneve që unë kam pranuar, e kanë bërë me urdhër të Dhurata Hoxhës. Është radha e Prokurorisë Speciale që ta thirrin Dhurata Hoxhën dhe te tregojë se a është e vërtetë se i ka urdhëruar zyrtarët që të shkojnë t’i marrin kamerat dhe më pas të publikohen në televizione”.
“Natyrisht që kërkojmë drejtësi për rastin “Dehari” sepse një aktivist, vetëm pse ishte aktivist i VV-së, pa asnjë faj, pasi tash edhe aktivistët tjerë që kanë qenë të arrestuar janë liruar pa asnjë faj, vetëm pse ka qenë aktivist i VV-së dhe vetëm pse i ka kundërshtuar koncesionet që donit t’i instalonit në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Vetëm për shkak të kësaj është marrë në paraburgim dhe s’doli i gjallë nga Burgu i Prizrenit. Prandaj, edhe këtu ua kisha kujtuar deklaratën e ish-kryetarit të kuvendit ‘ruanu, mos e vrani veten’”, tha Haxhiu, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Haxhiu tha se edhe sa i përket zjarreve në IML, në të dy rastet, ka thënë se është e pamundur të ndodhë aksidentalisht, pa u përfshirë dikush qëllimshëm.
“Por, ekspertët e kësaj fushe po thonë që nuk është e qëllimshme. Prandaj është e rëndësishme të rikthehemi që nga 2005, kur është ndërtuar objekti, mënyra se si është ndërtuar. S’mund të merresh me zjarrin, pa u marrë me mënyrën se si është ndërtuar objekti”, tha ajo.