Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prokuroria e Specializuar ka nisur deklaratën hyrëse, ku ka lexuar pikën 176 dhe 177 të aktakuzës së plotësuar që flet për përgjegjësinë e tyre të dyshuar penale për pikat e aktakuzës.
Prokuroria pretendon katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-pjesëtarë të tjerë, kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Pas leximit të pikave, Thaçi dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u deklarua sërish i pafajshëm.
“E kuptoj aktakuzën dhe jam plotësisht i pafajshëm”, tha Thaçi,
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill.
“140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.”
Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.