Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se pensionet prej 100 e sa eurosh nuk mjafton as për barnat bazike.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se pensionet duhet të jenë në nivelin e pagës minimale.
Ai ka treguar synimet e partisë së tij për këtë fushë.
“Pensionistët e Kosovës përballen me situatë të rënduar ekonomike. Në bisedë me pensionistë dhe veteranë të arsimit në Vushtrri, u shpreh zhgënjim i thellë me gjendjen e tyre ekonomiko-sociale. Premtimet e pambajtura të katër viteve të fundit, janë treguesi i mashtrimit dhe i braktisjes së kësaj kategorie nga Qeveria. Pensioni prej 100 e sa eurosh nuk mjafton mjafton as për barnat bazike, duke i shtyrë shumë drejt varfërisë së skajshme. Ato më e pakta do të jenë në nivelin e pagës minimale, që arrijnë shifrën prej 450 euro. Projeksioni ynë është që të sigurohet një buxhet dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për fillimin e zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore për të gjithë qytetarët. Ne besojmë në një Kosovë ku pensionistët gëzojnë kujdes të posaçëm, dhe ku çdo qytetar jeton me dinjitet”, ka shkruar Haradinaj.