Ramush Haradinaj, lider i AAK-së dhe kandidat për president të Kosovës, dje paralajmëroi referendum për bashkimin me Shqipërinë.
Ndaj kësaj deklarate, reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilësoi këtë deklaratë si të rrezikshme, jo vetëm për Serbinë, por për rajonin, Evropën dhe mbarë botën.
E Haradinaj reagoi ndaj kësaj deklarate të Vuçiqit, duke thënë se “për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandar Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë.
Ai kërkoi nga Vuçiqi që të “mos ketë frikë”, të “mos bëhet nervoz”, sepse, sipas tij, “Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon”.
“Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, deklaroi Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Tutje, Haradinaj i tha Vuçiqit se Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB, ndërsa i tha se “me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejtën tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës”.
“Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi”, përfundoi Haradinaj.