Lideri i AAK-së, njëherit kandidati për president, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me anëtarët, simpatizantët e me qytetarë të Klinës.
Ai prezantoi programin e partisë që drejton dhe planin e tij si president i ardhshëm i vendit. Ndër të tjera ai tha se qëllimi kryesor i tij është forcimi i shtetit të Kosovës, dhe hapja e vendeve të punës.
Ndërsa, para të pranishmëve folën edhe kandidatët për deputet nga Klina, të cilët u shprehën se vetëm më Ramush Haradinajn preziant, mbrohet sovraniteti i vendit.
“Kosova ka nevojë për një president të fortë, që është i gatshëm ta mbrojë sovranitetin, vetëm një udhëheqës i fortë dhe me përvojë si Ramush Haradinaj, do ta forcojë Kosovën, vetëm një Aleancë e fortë me përfaqësues në Parlament dhe si pjesë e qeverisë do të mbrojë vendin. Ramush Haradinaj ka krijuar ushtri për ta mbrojtur vendin tonë, për aleatët tanë në Amerikë e Evropë.
Një president që do të mbrojë interesat e qytetarëve, që do të ndërtojë dhe mbrojë të ardhmën e vendit tonë”, tha ndër të tjera, Agron Bacaj.
Në anën tjetër, kandidati për deputet nga kjo komunë, prof. Shkëlqim Millaku, tha se oferta apo programi i AAK-së, ka për mision zhvillimin demokratik dhe se lista e AAK-së, është me ekspertë të fushave të ndryshme.
“Program për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e ushtrisë sonë në NATO. Program premtues për shëndetësi dhe arsim cilësor. Ruajtja dhe mbrojtja e Kosovës është punë vetëm për një president të fortë siç është Ramush Haradinaj. Oferta apo programi i AAK-së për qytetarët, kanë mision për zhvillim demokratik të vendit pa dallim feje, gjinie apo race, por edhe për ta pasuruar vizionin e saj afatgjatë për të kërkuar ballëhapur besueshmërinë apo votën e qytetarit”, tha Millaku.