Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas dorëheqjes së Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka falenderuar Mehajn për shërbimin.
“I nderuar ministër Mehaj, faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, zëdhënësi i saj Përparim Kryeziu në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka treguar edhe arsyet e dorëheqjes së Mehajt.
Sipas tij, Mehaj ka kërkuar lirim nga kjo pozitë pasi bashkëshortja e tij është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë, dhe si pasojë Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në Oslo këtë periudhë.
“Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytetet tjetër nga ai i Oslos. Çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë”, ka thënë Kryeziu.
Pas dorëheqjes së tij, Mehaj në një reagim të gjatë në Facebook, theksoi se e kishte njoftuar me kohë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai foli edhe për kohën sa ishte Ministër, ku shkroi se brenda 29 muajve sa ishte në këtë detyrë, kanë dyfishuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, nga 64 milionë euro në 123 milionë euro, kanë rekrutuar edhe 1836 ushtarë të rinj.