Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “të çuditshëm” dhe “të pakuptimë” siç ka thënë lavdërimin e kryeministrit Albin Kurti për Korporatën Energjetike të Kosovës.
Haradinaj tha kështu duke iu referuar vizitës që Kurti bëri dje bashkë me ministren Artane Rizvanolli në Termocentralin “Kosova B” dhe fjalimit që mbajti para punëtorëve të rinj.
Sipas Haradinajt, Kurti ka gabuar audiencën për këto fjalë.
“Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike, pasi ai qartë shihet se e ka gabuar audiencën. Kur e lexon postimin e tij, të jep përshtypjen sikur ai u është drejtuar jo KEK-ut dhe punëtorëve të tij, por atyre që janë përfitues të mëdhenj të KEK-ut: pra, atyre që i ndjek ligji për afera në KEK dhe blerje të energjisë, atyre që marrin rrogë me kontrata të fshehta nga EPS, por edhe të gjithë dilerëve të energjisë në rajon. Jo KEK-ut, jo, se me asgjë s’ia kanë parë hajrin Albin Kurtit, bile as me bojlerë as me spoilerë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Kurti do të ishte mirë të tregojë se sa qindra miliona euro rrymë ka importuar Kosova nga koha kur ai është kryeministër, me çfarë çmime dhe nga kush.
“Përveç 21 milionë euro dëmshpërblim që ka paguar, po të ishte burrë Albin Kurti, ai do të tregonte sa qindra miliona euro ka importuar që nga koha kur është Kryeministër, me çfarë çmimi dhe nga kush. Kurti, këtë ua ke borxh njerëzve të këtij vendi. Është e sigurt se ai nuk do të tregojë për shumat, e edhe shitësit e rrymës do të përpiqet t’i fshehë, por ai duhet të dijë që pushtetet nuk janë të përjetshme. Refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarin, aty do të jenë”, ka thënë Haradinaj.
Tutje, ai ka thënë se Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg.
“Ndryshe, keq do të jetë për gjithë vendi”, thuhet në postimin e tij.