Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si ‘të mjerë’ përpjekjen e presidentes Vjosa Osmani për të hequr nga veta përgjegjësinë e prishjes së raporteve të Kosovës me aleatët perëndimorë të saj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një shkrim në Facebook të hënën, e quajti Osmanin, ‘presidente koti’.
“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë”, tha Haradinaj.
“Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”.
Këto komente Haradinaj i bëri pas një interviste të presidentes Osmani të dielën, në të cilën ajo e kundërshtoi për herë të parë publikisht, për disa çështje, kryeministrin Albin Kurti.
Për Kurtin, shefi i AAK-së tha se është fajtori numër një për “largimin e Kosovës nga mbrojtja amerikane”.
As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare”, tha Haradinaj.
Haradinaj përmendi edhe paralajmërimin e Manuel Sarrazin, emisarit të Gjermanisë, për mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga procesi i Berlinit. /Paparaci.com