Kryetari në detyrë i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky subjekt është pro krijimit të një Qeverie të re dhe kundër shkuarjes në zgjedhje derisa vendi po përballet me virusin Korona.
“Nuk e shohim të mundur shkuarjen në zgjedhje në këtë kohë. Qeveria e ardhshme mund të jetë me një afat kohor e përkohshme por shpalljen e zgjedhjeve tash e shohim të paarsyeshme”, ka thënë Haradinaj, pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.
“Është një kohë e ndjeshme në vend. Do të bëjmë kujdes në çdo veprim. Kushtetuta duhet respektuar në radhë të parë. Nëse ajo e mundëson zgjedhjen e një Qeverie në parlament është më mirë që ta kemi një Qeveri të zgjedhur. Deri atëherë Qeveria në dorëheqje duhet t’i ushtrojë funksionet tjera, në përjashtim të bërjes së ligjeve”.
“AAK nuk ka kushte për ta ndihmuar vendin në këtë kohë për të pasë Qeveri. Mund të përkrahim Qeveri pa qenë pjesë e saj. Nuk jam kandidat për të pasë ndonjë funksion qeveritar. Nuk është kohë e apetiteve për pushtet”.