Malishevë, 10 qershor
Sot në Komunën e Malishevës, janë hapur të gjitha shkollat, përkatësisht klasat e nënta, e po ashtu sot është hapur edhe çerdhja. Kjo është bërë e ditur nga drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, i cili edhe i ka vizituar disa nga shkollat, për të parë nga afër procesin e hapjes së shkollave për klasat nënta, për parapërgatitjet për testin e arritshmërisë.
Sipas drejtorit Thaçi, komuna i ka marrë të gjitha masat e sigurisë në raport me pandeminë COVID-19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve. “Kemi bërë dezinfektimin e shkollave dhe të çerdhes, e po ashtu, kemi pajisur nxënësit me maska, si dhe të gjitha shkollat janë pajisur me dezinfektues për duar”, tha drejtori Thaçi.
Gjatë vizitës në shkolla që drejtori Thaçi i ka bërë së bashku me zyrtarët e drejtorisë, Halim Hoti dhe Shefqet Kryeziu, i kanë uruar nxënësit e klasave të nënta për kthimin në bankat e shkollës, dhe ju kanë uruar sukses në përgatitjen e tyre për testin e arritshmërisë.
Zyrtarët e drejtorisë së arsimit, e kanë vizuar edhe çerdhen, e cila gjithashtu është hapur sot, pasi janë krijuar kushte për hapjen e saj dhe numri i fëmijëve në çerdhe ishte i konsiderueshëm.
Paraprakisht, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, së bashku me zyrtarët e drejtorisë kanë zhvilluar një takim me komandantin e stacionit policor në Malishevës, kapitenin Azem Krasniqi dhe zyrtarët tjetër përgjegjës policor, me të cilët kanë biseduar për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve për hapjen e shkollave dhe zbatimin e masave mbrojtëse në raport me COVID-19, si dhe për mbarëvajtjen e mësimit.
Po ashtu në këtë takim, u bë e ditur se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Edukim, do të mbajnë edhe ligjërata për masat mbrojtëse në raport me pandeminë.