Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha se Milan Radojiçiq i cili ka udhëhequr grupit terrorist në sulmet e 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, përmes një sms që ka siguruar Policia e Kosovës ka kërcënuar me vrasjen e udhëheqësve politikë nëse atij i preket banesa dhe restoranti që posedon në veri të vendit.
Sipas Haliti, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku nuk do të duhej të kërkonin mbrojtje të afërt.
“Milan Radojiçiq ka kërcënuar nga Rashka. Kërcënimi i është dërguar me sms Policisë së Kosovës në të thuhet se : “në qoftës se ju ma prekni restorantit dhe banesën time në veri unë do t’iu vras sepse kam njerëz. Do t’i vras udhëheqësit e partive dhe do të vras njerëz atje nëpër Kosovë’’, këta janë frikësuar shumë dhe kanë vendos roje tek drejtuesit politik (Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun). Ndoshta do të duhej ta refuzonin të dytë mbrojtjen e Policisë sepse ata janë të sigurt në Kosovë. Dhe Radojiçiçi le të vjen në qftëse ka guxim dhe le ta vret kënd dojë”, ka thënë Haliti për RTV21.
Mediat ditë më parë raportuan se liderit të opozitës dhe PDK-së iu caktua mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës, si rrjedhojë e dyshimeve mbi rrezikun e shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Për këtë çështje ka folur edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi i cili konfirmoi se gjithçka lidhet me zhvillimet dhe situatën pas sulmit në fshatin Banjskë.
“Nuk jam, e as s’jam ndjerë kurrë i kërcënuar edhe kur na kanë publikuar informacione për kërcënime me vrasje, siç e dini edhe para pak muajsh, por ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë, në këtë rast policisë së Kosovës, e unë besoj edhe në organe tjera të ndërlidhura e të ndërvarura që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt, për arsye që unë besoj do duhej ata t’i tregojnë, por që ndërlidhen me zhvillimet dhe situatën e tensionuar e përkeqësuar pas sulmeve në veriun e vendit”, tha Krasniqi ditë më parë para gazetarëve.