Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar qëndrimet e partisë së tij lidhur me RTV Dukagjinin.
Në televizionin publik ai tha se është kundër deklaratës që është lëshuar ndaj RTVD.
Haliti u shpreh se nuk ka qenë në mbledhjen e partisë kur është bërë deklarata.
“Unë personalisht nuk e kisha leshu atë deklaratë, mendoj që mundet me u diskutu prapë. Nuk kam marrë pjesë në mbledhjen kur është bërë gati deklarata”, tha Haliti.
Ndryshe, shefi i shtabit të Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi i në një konferencë për media ka njoftuar se PDK-ja nga sot e ka shkëputur çdo komunikim me ‘TV Dukagjinin’ dhe e ka akuzuar këtë televizion për propagandë politike.
Gjatë ditës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur akuza ndaj ‘RTV Dukagjinit”.
Në një komunikatë për media thuhet se LDK fton qytetarët të mos bien në kurthin propagandistik të TV Dukagjinit dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.
Ndaj kësaj ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve.
AGK ka thënë se me shqetësim po e përcjellë gjuhën linçuese të dy partive, LDK dhe PDK në drejtim të RTV Dukagjinit.
Sipas tyre, gjuha e tillë linçuese për AGK-në është tërësisht e papranueshme dhe përbën trysni ndaj kolegëve tanë gazetarë.
AGK-ja vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik.