Hajdin MORINA
LISSUS LEZHA IME
(“Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,
sa karrigia e zyrës,
sa dhoma komode
…………………
Atdheu është dhimbje…”-Bardhyl Londo)
E njëjta fjalë rrjedh nga njerëzit
dhe nga gurët.Erë tjetër nuk paska
trokitur në dritare as flokët e palmave
nuk i paska shprishur.
Kambanë e Gjergjit shpirtin mbush.
Lezha ime Lissus.
Një libër të pashkruar ma paske në sy
dhe pragjeve të shtëpive.Lissus Lezha ime.
Sa herë mjegull bie mbi Kosovë
dhe rrugës për në det vonohen lumenjtë,
qiellin përmbi krye ti nuk ma lë pa yje,
Lissus, lis i Shqipërisë.
Bajlozët kur ia mësyjnë Bukurisë së Deteve,
Ajo betohet në kokën tënde.
Falmi gurët e moçëm për urat e reja.
Falma një fjalë, sepse kot flas, kot hesht
pa ty Lissus, o Lezhë!
NGA KUJTIMET E SHIUT
Unë lot nënash vjel
nga litarët e këtij shiu,
gërshet dhimbjesh
që ma zënë frymën.
Varka ime fshin lotët.
Në det nimfat kanë filluar
një valle me djaj.
Nuk ka rrugë për Itakë.
Varka ime ka detin e vet.
Në tokë zogjve të posalindur
m’u japin ujë të zi me pi
dhe ua shkurtojnë krahët
të mos i kapërcejnë
grumbujt e plehut.
Varka ime nuk i ndahet detit,
as zgalemit.
Mbi tokë është lartësuar plehu.
Është bërë mal ku luten mëkatarët.
Nga gjoksi i detit tim zgjohen valë,
plehun për ta nxjerrë në breg.
Varka ime nuk lëshon litarë
në stinën e përmbytjeve.
Nuk i ndahet detit as zgalemit.
NË VEND TË LAMTUMIRËS
U ul bjeshka.
Një erë ia shkundi lisit
gjethet e verdha.
Një erë që do ta blerojë
lisin tim të pagojë.
U ul qielli.
Një albatros humbi në det.
Pastaj fytyrën ia pashë nëpër valë.
Tash qiell kam më shumë në shpirt.
Tokë e det dhe ajër për mushkëritë.
Vjeshta jote kurrë më nuk m’i shkrumbon
ndër ëndrra lulet e mia erëmira…