Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar te gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou të Gjykatës Speciale kërkesën e tretë për lirimin e tij në arrest shtëpiak apo edhe lirimin në një shtet të tretë.
Sipas avokatit të Thaçit, Gregory W. Kehoe, vazhdimi i paraburgimit në Hagë bie ndesh edhe me liritë dhe të drejtat e njeriut.
Mbrojtja e ish-presidentit, ka kërkuar nga gjyqtari thirrjen e një seance dëgjimore dhe të urdhërojë praninë e drejtorit të Policisë së Kosovës, kryeshefit të Njësisë së Paraburgimit të Republikës së Kosovës, dhe përfaqësuesit e qeverive të shteteve, emrat e të cilave janë të redaktuara në dokumentin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara.