Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Për një rast të tillë ka rrëfyer në Polici një grua nga Malisheva, e cila e denoncoi bashkëshortin e saj.
Sinjali mëson se në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se në vazhdimësi ka përjetuar dhunë fizike e psikike nga burri, duke i shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.
Rasti i fundit e shtyu atë të kërkojë ndihmë, me ç’rast ajo vendosi ta denoncojë atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre dhe kërkoi urdhër mbrojtës.
Raportimi i viktimës e bëri Policinë të aktivizohet dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se mes tjerash, i dyshuari e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën “Dhunë familje”.